TIRANË, 17 prill /ATSH/ – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati e ka konsideruar hapjen e negociatave për Shqipërinë, një ditë të lumtur për të gjithë shqiptarët.
Përmes një deklarate, Bushati ka thënë se fillimi i bisedimeve për anëtarësim, ka ardhur falë rezultateve që ka prodhuar zbatimi i reformave, në fushën e studimit të së drejtës.
“Sot është një ditë e lumtur për Shqipërinë. Rekomandimi i Komisionit Europian për fillimin e bisedimit për anëtarësim, bazohet pikërisht në rezultatet që kanë prodhuar reformat në fushën e studimit të së drejtës. E kam fjalën kryesisht për reformën në drejtësi, për luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave themelore të njeriut, që në të njëjtën kohë përbëjnë edhe pesë prioritetet kryesore të Shqipërisë në këtë proces”, është shprehur Bushati.
Sakaq, ministri ka thënë se ky rekomandim është edhe një vlerësim i qartë nga ana e Komisionit Europian, ku Shqipëria do të angazhohet edhe më shumë për të përmbushur prioritetet.
“Natyrisht ndjehemi të inkurajuar nga ky vlerësim i qartë nga ana e Komisionit Europian dhe në të njëjtën kohë, duam dhe do të punojmë më fort në procesin e reformave, në mënyrë që Shqipëria të shkojë drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim”.
Lidhur me sfidën e re që e pret Shqipërinë pas këtij hapi, Bushati ka thënë se i gjithë procesi do të kërkojë kohë dhe ndërsa kjo e fundit do të jetë e vetmja rrugë për të vijuar me europianizimin e mëtejshëm të vendit.
“Do të jetë një kapitull i vështirë, do të jetë një rrugë e re sfiduese, që do të kërkojë kohën e vet, që do të kërkojë kostot e veta, por do të jetë e vetmja rrugë për të vijuar me europianizimin e mëtejshëm të vendit”, ka përfunduar Bushati. /z.tosku//r.e/






















