EUobserver: Shqipëria fillon bisedimet për në BE

112

BRUKSEL, 16 prill /ATSH/ – Komisioni Europian pritet të deklarojë se Shqipëria dhe Maqedonia duhet të fillojnë bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërkohë që abuzimi me të drejtat e njeriut në Turqi nënkupton që për këtë të fundit bisedimet e anëtarësimit do të mbeten pezull, shkruan sot EUobserver.

“Në bazë të progresit të arritur, Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë”, pritet të deklarojë nesër ky komision në raportin e tij vjetor për zgjerimin, sipas një drafti të parë nga EUobserver.

Edhe për Maqedoninë, ky projektdokument ka të njejtën formulë.

Ky është rekomandimi i parë për Shqipërinë.

Ai vjen 15 vite pasi Shqipëria nënshkroi Paktin e Stabilizim-Asocimit me BE-në dhe pothuajse 10 vite pasi shteti i Ballkanit Perëndimor, që dikur ishte diktaturë komuniste, u anëtarësua në NATO.

Ndërkohë, Maqedonia ka qenë gati për fillimin e bisedimeve që në vitin 2005.

Por, vendet e BE-së nuk kanë pranuar asnjëherë ta bënin këtë, sepse Greqia vendosi veton pasi emri i Maqedonisë përfaqëson një pretendim territorial në lidhje me një rajon grek me të njejtin emër.

Rekomandimi, që publikohet nesër, vjen në kuadër të shpresave të BE-së se Shkupi dhe Athina janë mjaftueshëm pranë gjetjes së një zgjidhjeje duke i mundësuar Këshillit të BE-së të hapë bisedimet me Maqedoninë në fund të këtij viti.

Ai gjithashtu vjen edhe në kuadër të një strategjie të re të Komisionit për të përshpejtuar zgjerimin.

Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë sot gjithashtu për Ballkanin Perëndimor në Luksemburg.

“Pritet që ata të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për të lehtësuar dialogun mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve dhe diskutimin e çështjeve të sigurisë në rajon”, sipas një diplomati të BE-së./ /g.s/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.