FOTO/ Durrës, rritje e eksportit të mallrave me anije dhe tragete

174

TIRANE, 16 Prill /ATSH/ -Që nga fillimi i këtij viti më shumë se 40% e mallrave të përpunuara në portin e Durrësit i përkasin eksporteve.

Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, gjatë 3-mujorit janar-mars 2018 nga anijet dhe tragetet janë përpunuar në kalata mbi 894 mijë ton mallra të ndryshme gjithsej, ose afro 107 mijë ton më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Në tre Terminalet e Mallrave gjatë 3 muajve të parë të këtij viti janë përpunuar 131 anije, ndërsa 224 tragete janë përpunuar në Terminalin përkatës. Mallrat e eksportit të përpunuara në portin e Durrësit kanë patur një rritje prej 20% gjatë periudhës 3 mujore.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD mësohet se 40.11% e mallrave të përpunuara në kalatat e portit më të madh të vendit nga anijet dhe tragetet i përkasin eksporteve, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kjo shifër arrinte në 37.83%.
Sasia më e madhe e mallrave për eksport është përpunuar me kontejnerë. Thuajse gjysma, 49.72%  nga më shumë se 412 mijë ton mallra të ngarkuara në kontejnerë, i janë drejtuar porteve të tjerë të Mesdheut e më gjerë./e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.