Këmbimi valutor – ‘bie’ sërish euro

TIRANË, 13 prill /ATSH/- Në tregun e këmbimit valutor, Leku ka vijuar të forcojë pozitat përkundrejt të gjitha monedha këtë fundjavë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro ka shënuar nivelin më të ulët të këmbimit në këto 10 vite duke u këmbyer me 129.56 lekë. Monedha e përbashkët duket po e mbyll javën me 0.4 lekë më pak se në mesin e kësaj jave.

Të premten euro shënoi përsëri rënie, ku sipas ekspertëve sezoni dhe rritja e fluksit të vizitorëve, por edhe periudha e dobët që po kalon euro në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë zhvlerësim të monedhës europiane.

Aktorët e tregut presin që euro të vijojë të jetë e dobët, sidomos me afrimin e verës, kur rritet oferta në valutë si rrjedhojë e prurjeve të  emigrantëve.

Një euro e dobët favorizon importuesit dhe ata që kanë hua në euro dhe të ardhura në lekë, ndërsa dëmton eksportuesit dhe ata që paguhen në euro. Gjithashtu valuta e dobët është e favorshme për blerjet online dhe ata që udhëtojnë jashtë vendit.

Euro ka nisur të zhvlerësohet që prej fillimit të dhjetorit, duke qenë se efektet sezonale filluan të ndikojnë në nivelin e këmbimit euro/lek. Krahasuar me te njëjtën periudhë të një viti më parë, euro këmbehet me 2.5 lekë më pak.

Në tregun e këmbimit valutor edhe monedha e gjelbër amerikan është nënçmuar përkundrejt lekut. Dollari ka rënë në nivelin e 104.96 lekëve, kundrejt vlerës 127.29 lekë që shënonte një vit më parë. Ndërsa ekspertët shprehen se dollari ka regjistruar tashmë një pikë të re të ulët rekord të këtyre 4 viteve të fundit.

Sipas tyre ecuria e dollarit amerikan diktohet nga tregjet ndërkombëtare.

Lidhur me ecurinë e kursit të këmbimit valutor, Guvernatori i BSH-së deklaroi se luhatjet e valutave nuk cënojnë ekonominë e vendit dhe BSH-ja e ka në monitorim të vazhdueshëm tregun valutor. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.