Ballina Kosova

Austria mbështet Kosovën për liberalizimin e vizave

PRISHTINË, 13 Prill/ATSH/.- Austria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit europian në mënyrë të veçantë në liberalizimin e vizave.

Kështu theksoi kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, i cili priti në një takim me rastin e 10 vjetorit të themelimit të marrëdhënieve diplomatike mes Austrisë dhe Kosovës, dy zëvendëskryeministrat Dardan Gashi dhe Enver Hoxha.

Kryetari Sobotka falënderoi dy zyrtarët e lartë të qeverisë së Kosovës për vizitën dhe premtoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për Kosovën në të ardhmen.

Duke folur për investimet e kompanive austriake në Kosovë, Sobotka kërkoi më shumë siguri për investimet në Kosovë.

Dy zv/kryeministrat Gashi dhe Hoxhaj falënderuan shtetin austriak për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në etapa të ndryshme kohore, si para ashtu edhe pas luftës, në mënyrë të veçantë në periudhën pas shpalljes së Pavarësisë.

Gashi e Hoxhaj kërkuan mbështetje për proceset në të cilat po kalon Kosova.

“Si shteti i fundit në Balkan që nuk kemi lëvizjen e lirë në vendet e Schengenit, shpresojmë që tani pasi kemi përmbushur kushtin e demarkacionit, do të vazhdoni mbështetjen për të aplikuar procesin e liberalizimit të vizave edhe për Kosovën. Po ashtu, ne mbështetemi fuqishëm në ndihmën dhe bashkëpunimit tuaj edhe në procesin e integrimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Europian”, tha zv. kryeministri Hoxhaj.

Gashi e informoi kryetarin e Parlamentit për ligjin e ri për investime strategjike dhe shprehu përkushtimin e qeverisë për të mbështetur investimet e huaja me të gjitha mekanizmat, të cilat qeveria i ka në dispozicion.

“Në Kosovë tashmë kemi disa kompani në fushën e energjisë së ripërtëritshme të cilat kanë aplikuar për statusin e investitorëve strategjikë. Në këtë drejtim edhe kompania Kelag nga Austria është në proces të aplikimit për një investim rreth 100 milionë euro në fushën e energjisë krahas projektit, të cilin janë duke e implementuar në rajonin e Deçanit”, tha zv. kryeministri Gashi.

Gjatë ditës, zv. kryeministri Gashi do të marrë pjesë si panelist në konferencën e organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës dhe Ambasada e Kosovës në Vjenë “10 vite të marrëdhënieve diplomatike mes Austrisë dhe Kosovës”./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVogëlushët udhëtojnë këtë fundjavë në një destinacion magjik
Artikulli tjetërRUSI – Gjykata urdhëron bllokimin e aplikacionit të mesazheve ”Telegram”