Në fund të qershorit bëhet renditja e të gjitha spitaleve

TIRANË, 12 prill /ATSH/- Në fund të muajit qershor, sistemi shëndetësor do të ketë një tabelë të qartë ku do të renditen të gjitha spitalet e vendit, në bazë të standardeve të plotësuara.

Në analizën e gjashtëmujorit të parë të mandatit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu raportoi para Grupit Parlamentar Socialist duke theksuar nismat e reja të ndërmarra në funksion të përmirësimit të sistemit shëndetësor.

Ajo tha se Ministria ka ndërmarrë nismën për akreditimin dhe rankimin e spitaleve në të gjithë vendin dhe kjo e fundit do të bëhet publike në fund të muajit qershor.

Kështu, ajo bëri të ditur se falë qasjes së re, u liruan hapësirat në spitalet rajonale dhe ato bashkiake. Manastirliu dha shifra, duke thënë se janë liruar 1800 metra katrorë, përkatësisht në 11 spitalet rajonale dhe 24 spitalet bashkiake.

Ajo preku një nga problematikat e mbartura nga e kaluara, sikundër ajo e përcaktoi  mungesën e specialistëve në spitalet e rretheve. Për fuqizimin e spitaleve rajonale, Manastirliu tha se falë patronazhimit dhe bonusit për mjekët, këto të fundit sipas saj do të japin rezultat.

Ajo shpjegoi se në rastin e parë, mjekët shkojnë në spitalet rajonale sipas një kalendari të përcaktuar, ndërsa në rastin e dytë, mjekët specialistë i kanë zgjedhur të punojnë (të transferohen) në spitalet rajonale, duke përfituar nga bonusi i qeverisë, pra paga shumë të larta.

Sakaq, ministrja nuk la pa përmendur edhe konkursin e infermierëve, duke theksuar se në total ishin 2450 aplikues në të gjitha fushat e mjekësisë, ndërsa brenda muaj maj do të punësohen 416 profesionistë të rinj të bluzave të bardha. /z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.