TIRANË, 6 Prill/ATSH-Maela Marini/ – Qeveria shqiptare po krijon kushtet për tërheqjen e turizmit elitar me lehtësirat që po ndërmerr për infrastrukturën e mikpritjes me 4 dhe 5 yje.
Në çeljen e Edicionit të 2-të të “Panairit Mesdhetar të Turizmit, Tirana 2018”, Kryeministri Edi Rama theksoi domosdoshmërinë e nxitjes së turizmit gjithëvjetor në Shqipëri.
“Jemi në kushtet kur çdo vit marrim gjithmonë e më shumë shembuj që na tregojnë se një boshllëk tjetër gjendet mes nesh e të ardhmes. Kemi parë gjithmonë turizmin të lidhur me sezonin veror dhe bregdetin. E vërteta është se kërkesa e fortë në rritje vjen edhe për pjesën malore të vendit”, tha Rama.
Duke qenë një vend i kombinuar gjeografikisht mes detit e zonave malore, sipas Kryeministrit, potenciali i Shqipërisë është i tillë që ta shtrijmë sezonin turistik në një hark kohor shumë më të gjerë se sa sezoni i verës.
“Kemi adresuar nga njëra anë boshllëkun që kemi në raport me infrastrukturën e mikpritjes, sidomos për atë pjesë që mungon plotësisht, hotelet e certifikuara me 4- 5 yje. Kjo është ajo pjesë e infrastrukturës së mikpritjes që sjell numrin më të lart të të ardhurave, përkundër numrit më të vogël të turistëve që e frekuentojnë”, tha Rama.
Ligji i ri, sipas tij, garanton lehtësira të rëndësishme dhe konkuruese në të gjithë rajonin e Mesdheut dhe në rajonin më të vogël të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar kushtet që investitorët në turizëm ta shohin vendin si një destinacion shumë tërheqës për të investuar në pjesën e sipërme të infrastrukturës së mikpritjes.
Ulja e TVSH-së për të gjithë infrastrukturën akomoduese turistike me 6%, sipas kryeministrit Rama, e ka ndihmuar dhe do ta ndihmojë turizmin në Shqipëri, si një forcë konkuruese, që ka mundësi të fitoj terren në një hapësirë konkurence.











