TIRANË, 6 prill/ATSH/-Tirana ka qenë qyteti i biçikletave dhe tanimë asgjë nuk e pengon të rikthehet një qyteti i shëndetshëm me bukurinë dhe ajrin e pastër që i jep dy rrotaku.
Kohët e fundit, janë ndërtuar korsi për biçikletat dhe ç’ka po jep tashmë efektet e para, përmes përdorimit masiv nga ana e qytetarëve. Vetë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka insistuar në promovimin e vazhdueshëm të biçikletave, duke dhënë shembullin e tij personal, në përditshmërinë duke zgjedhur të lëvizë me dy rrotakun.
Këtë vit, ai e ka konsideruar si vitin e biçikletave duke modernizuar Tiranën, por pa harruar traditën e vjetër. Kështu, këtë vit Tirana do të ketë 10 km rrugë, korsi biçikletash të mbrojtur. Kjo do të thotë që makinat nuk do të mund të hyjnë në korsinë e biçikletave që të shmangim skenat e shëmtuara por edhe aksidentet e mundshme. Ndaj, për këtë arsye, Veliaj e ka kthyer në një prioritet betejën me ajrin e ndotur, duke luftuar përmes përdorimit të biçikletave. Sipas tij, viti 2018 mund të quhet ndryshe edhe si viti ku Tirana iu rikthye biçikletës. Si pjesë e një kulture të vjetër, nëse përmendim këtu vitet ‘90-‘91, kryeqyteti po sjell në vëmendje vlerat e së kaluarës.
Kushdo që ka pare foto ose pamje filmike të viteve `90, në rrugët e Tiranës ka vënë re një ndryshim të jashtëzakonshme nga pamjet që shohim në rrugët e Tiranës në ditët e sotme(qytetarët lëviznim më shumë në këmbë ose me biçikleta).
Përdorimi i biçikletës nga fëmijët fillimisht
Në Tiranë ka filluar dhe promovimi i kulturës së përdorimit të biçikletës tek fëmijët e vegjël, që në të ardhmen do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në uljen e trafikut, por njëkohësisht edhe për një mjedis më të pastër dhe jetë të shëndetshme.
Në zbatim të strategjisë së transportit të qëndrueshëm në kryeqytet, Bashkia e Tiranës parashikon sistemim e infrastrukturës së rrugëve dhe trotuareve sipas parimit të shpërndarjes së sipërfaqes së rrugës për çdo përdorues duke i kushtuar një vëmendje edhe lëvizjes me biçikleta. Projekti i nisur parashikon fillimisht ndërtimin e 10 km korsi të dedikuara.
Nisma e Bashkisë për ndërtimin e korsive të dedikuara për biçikletat, i paraprin edhe projektit “bike-sharing” të bashkisë, që pritet të shtojë numrin e biçikletave që do të mund të përdoren në kryeqytet, kundrejt një pagese që është përllogaritur të jetë më e ulët se ajo për biletën e transportit urban.
Më shumë makina, shpesh një kaos i vërtet
Përdorimi i makinave në masë, shpeshherë sjell një kaos të vërtetë. Kjo e fundit, sidomos në hyrje dhe në dalje të Tiranës, ku trafiku rëndohet akoma më shumë. Trafiku bëhet ende më shumë problematik sidomos gjatë ditëve të nxehta apo atyre me shi, ku kryeqytetasit preferojnë të lëvizin përmes automjeteve. Ndaj, përdorimi i biçikletave shmang pjesën e trafikut dhe ul nivelin e ndotjes së ajrit.
Ka disa forma sesi mund të ushtrohet përdorimi i biçikletave, pra disa lloje sportesh. Mund të jetë çiklizmi në natyrë, mund të jetë çiklizmi në rrugë, mund të jetë maratona, mund të jetë një sport. Problemi numër 1 i qyteteve për shëndetin është obeziteti dhe fakti që ushqehemi keq. “Shpresoj që do të promovojmë qytetin, Tiranën, dhe besoj që vitin tjetër do të jemi edhe më të shumtë dhe 2018-n do ta kthejmë në një vit fantastik për të gjithë ata që do të përdorin biçikletën”, ka thënë më herët Veliaj.
Vitet e fundit në rrugët e kryeqytetit në ditë të caktuara shumë aktivistëve të lëvizjeve me biçikletë, bashkë me qytetarë të ndryshëm kanë protestuar paqësisht, duke përdorur zilet e biçikletave apo duke manifestuar me parulla nxitëse kundrejt bllokimit të korsive çikluese.
Edhe këtë vit, për të tretin vit radhazi në kryeqytet u zhvillua gara e “Shtegut të Gjelbër”. Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, mbi 100 çiklistë amatorë dhe profesionistë, të apasionuar me natyrën dhe sportin, si dhe grupe të rinjsh vullnetarë, u bënë pjesë e itinerarit çiklistik. Kryetari i bashkisë së Tiranës e ka cilësuar këtë garë të përvitshme, si një traditë e bukur për kryeqytetin, duke e përfshirë këtë të fundit në kalendarin e të apasionuarve pas këtij sporti.
Po kështu, në Tiranë është bërë si traditë organizimi i fushatë “një ditë pa makina” ku njëherë në vit behet një lloj sensibilizimi për të përdorur më shumë biçikleta ose transporti publik dhe më pak makina.
Tendencë
Përherë e më tepër rritet prirja e përdorimit të dyrrotakëve edhe për shëtitje qetësuese në qytet. Disa organizata kanë mundësuar pika ku çdo qytetar mund të marrë me qira një biçikletë me çmime fare të ulëta për orë të caktuara. Rreth 200 persona në ditë janë klientë të këtyre pikave duke gjetur thjeshtësinë e marrjes hua të një biçiklete për arsye të ndryshme, qoftë pune apo argëtimi.
Bllokimi i sheshit “Nënë Tereza” gjatë stinës së verës, pranë Universitetit të Tiranës, ka shërbyer si instrument për përdorimin e biçikletave nga ana e të rinjve por jo vetëm. z.tosku/ /a.g/
https://www.facebook.com/ecovolis/videos/1936894536330433/?t=13













