Agroturizmi, rrugëdalje nga varfëria dhe papunësia në zonat rurale

TIRANË, 6 Prill /ATSH-Maela Marini/- Agroturizmi, një komponent deri tani i munguar i industrisë së turizmit në Shqipëri do të marrë një shtysë të veçantë, falë vëmendjes dhe mbështetjes së qeverisë.

I pranishëm në çeljen e edicionit të 2-të të “Panairit Mesdhetar të Turizmit, Tirana 2018”, Kryeministri Edi Rama u ndal te programi për nxitjen e agroturizmit në Shqipëri.

“Ky program do të mbështetet financiarisht si nga qeveria shqiptare edhe nga fondi i mbështetjes së KE-së, ndërkohë që deri javën e fundit të muajit do të bëjmë publik edhe aspektin tjetër, lehtësirat që do të krijojmë për të gjithë ata sipërmarrës, individë apo familje, që do të synojnë ndërtimin e strukturave të agroturizmit në gjithë hapësirën rurale të Shqipërisë”, tha Rama.

Nxitja e këtyre investimeve dhe përfshirja e sipërmarrësve dhe familjeve, sipas Ramës, “do të sjellë me patjetër krijimin e një efekti zinxhir për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë mundësisë së rritjes të ekonomisë familjare në fshat”.

“Agroturizmi do të zhvillojë të gjitha ato pika, ku është e pamundur bujqësia dhe blegtoria fitimprurëse, por natyra e mrekullueshme dhe mundësia për të mikpritur në një infrastrukturë të bazuar te tradita dhe duke ofruar të gjitha produktet lokale, përbëjnë një rrugëdalje të sigurt nga kthetrat e varfërisë dhe papunësisë në ato zona”, shtoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.