SHBA – Zuckerberg dëshmon para Kongresit për skandalin e të dhënave në Facebook

UASHINGTON, 4 prill /ATSH-AFP/ – Drejtori i përgjithshëm i Facebook, Mark Zuckerberg, pranoi të dëshmojë mbi skandalin e përdorimit të të dhënave personale të përdoruesve të tij nga kompania “Cambridge Analytica” gjatë një dëgjimi në Dhomën amerikane të Përfaqësuesve më 11 prill, njoftuan disa të zgjedhur të mërkurën.

Dëgjesa do të zhvillohet më 11 prill në orën 10:00 (14:00 GMT) para komisionit të Tregtisë dhe Energjisë së Dhomës, konfirmuan presidenti republikan i komisionit, Greg Walden dhe anëtari demokrat, Frank Pallone të cilët shpresojnë se kjo dëgjesë do t’i mundësojë amerikanëve të kuptojnë më mirë atë se çfarë bëhet me të dhënat e tyre në internet.

“Ne e vlerësojmë që Zuckerberg pranoi të dëshmojë para komisionit dhe ne presim që ai t’i përgjigjet pyetjeve tona më 11 prill”, deklaruan parlamentarët.

Por ky nuk do të jetë i vetmi proces pyetës për Mark Zuckerberg në Kongres, ku çështja “Cambridge Analytica” ka shkaktuar një skandal.

Kompania, e kontraktuar nga ekipi i fushatës së Donald Trump në vitin 2016, akuzohet se ka përdorur të dhënat e 50 milionë përdoruesve të “Facebook”, ndërkohë që ata nuk ishin të vetëdijshëm./G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.