TIRANË, 4 prill/ATSH/- Inter dhe Milan do të përballen ditën e sotme në një nga ndeshjet më të bukura të futbollit, siç është derbi i Madoninës.
Ekipet nga Milano do të zhvillojnë ndeshjen e shtyrë për shkak të ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të kapitenit të Fiorentinës, Davide Astori, një 90 minutësh që do të jetë përcaktues për arritjen e zonës Champions, objektiv i të dyja skuadrave.
Zikaltërit vijnë në këtë takim pas një formë mjaft të mirë, pasi kanë fituar tre nga 4 ndeshjet e fundit, ndërkohë që një ecuri fantastike po kalon dhe prapavija që nuk ka pësuar asnjë gol në 4 ndeshjet e fundit.
Interi i drejtuar nga Luçiano Spaleti, do të shfrytëzojë edhe formën e mirë të lojtarëve, duke veçuar këtu argjentinasin Mauro Icardi, i cili ka shënuar 6 gola në dy takimet e fundit. 18 herë kampionët e Italisë nuk do të kenë mungesa të rëndësishme përballë kushërinjve.
Ndërsa Milani vjen pas humbjes ndaj Juventusit që i ndërpreu ecurinë pozitive prej 10 fitoresh radhazi.
Kuqezinjtë tashmë renditen në vendin e gjashtë me 50 pikë të grumbulluara dhe në rast të një humbje të mundshme në derbi, do i jepnin “lamtumirë” ëndrrës për të marrë një biletë për në Champions League vitin e ardhshëm./e.caushi/