TIRANË, 4 Prill/ATSH/- Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe i ka kërkuar ministrit të Financave dhe atij të Infrastrukturës hetim të dëmit të shkaktuar në tunelin e Thirrës gjatë vitit 2009, si rezultat i hapjes jashtë kontratës për nevoja elektorale.
Braçe tha se abuzimi është konstatuar nga raporti i KLSH-së, institucion i drejtuar gjithmonë nga opozita.
Akuza, tha Braçe, është ngritur dhe ka mbërritur në Kuvend për abuzimin marramendës me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, dokument i protokolluar në Kuvendin e Shqipërisë
“Nga llogaritë e kryera nga ekspertët rezulton se dëmi i shkaktuar shkon në shifrat e rreth 385 milion eurove. Kjo është konstatuar edhe nga Prokuroria e Republikës”, u shpreh Braçe.
Më tej, ai theksoi se qeveria e majtë duhet të kishte verifikuar në katër vitet e shkuara dëmin e shkaktuar në tunel në 2009-n, si rezultat i hapjes jashtë kontratës për nevoja elektorale të një mitingu të mbajtur atje.
Braçe tha se dëmi prej 385 milionë eurosh është mbyllur me vendim të ndryshëm të së njëjtës gjykatë, në të cilën një pjesë e gjyqtarëve kanë ikur prej llahtarisë së Vetting-ut.
“Është mundësia që abuzimi të mos mbetet retorikë. Është e drejtë e qytetarëve të kërkojnë drejtësi. Kanë paguar 1.3 miliardë dollarë për ndërtimin e ‘Rrugës së Kombit’, ndërsa ende nuk ka përfunduar, por askush nuk mban përgjegjësi, ndërkohë që ftohen të paguajnë edhe 262 milionë dollarë të tjera”, deklaroi Braçe.
Sipas tij, reforma në drejtësi edhe pse një proces i vonuar, do t’i shërbejë pikërisht ndëshkimit të këtyre vjedhjeve.
/a.gjonaj/ /a.g/























