TIRANE, 3 Prill/ATSH/- Qytetarët që kanë në pronësi shtëpi të ndërtuara para vitit 1993, do të paguajnë 30% më pak taksë banese, sipas metodës së re të taksimit të ndërtesave e cila nisi zbatimin nga data 1 prill.
Qëllimi i diferencimit të taksës së pronës për ndërtesat e para vitit 1993 bëhet për shkak të marrjes në konsideratë të kostos së tyre të amortizimit, pavarësisht zonës ku ato janë ngritur.
Vendimi i miratuar nga qeveria i jep mundësinë bashkive të reduktojnë çmimin vlerësues për zonat periferike të pasaktësuara në metodologji me një çmim referues.
Sipas vendimit, këshillat bashkiakë mund të krijojnë nën-ndarje zonale sipas nevojave të tyre si dhe mund të reduktojnë çmimin referues deri në 30% të zonës më të afërt, ndërsa për bashkinë e Tiranës deri në 35%.
Duke përdorur edhe reduktimin e shkallës së taksës deri në 30% përtej, impakti i taksës për familjet mund të jetë minimal, në varësi të politikës sociale që do të ndjekë çdo bashki apo nevojave për të lehtësuar komunitete të ndryshme.
Metoda e re e taksimit të banesave parashikon pagesën e një takse sa 0.05% e vlerës së banesës për familjarët dhe 0.20% për ato ndërtesa që përdoren për biznes./a.gjonaj/ /a.g/























