MADRID, 3 prill /ATSH-AFP/ – Spanja duhet të vazhdojë përpjekjet për reduktimin e borxhit, ende shumë pranë 100% të PBB-së, deklaroi një zyrtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ndërkohë që qeveria do të paraqesë një buxhet për shpenzimet në rritje.
“Përpjekja buxhetore nuk ka përfunduar ende. Marrëveshjet e ardhshme mund të jenë progresive, por ato duhet të jenë të qëndrueshme dhe me natyrë strukturale”, theksoi zëvendësdrejtori i parë i përgjithshëm i FMN-së, David Lipton gjatë një fjalimi në Madrid.
“Rezervat buxhetore, që kanë qenë thelbësore gjatë krizës duhet të ristrukturohen”, shtoi ai duke nënvizuar se borxhi publik mbetet pothuajse tre herë më i lartë se niveli i tij para krizës.
Borxhi spanjoll arriti në fund të muajit dhjetor, 98,3% e PBB-së, në 1 144 miliardë euro, kundër të paktën 37% në 2007.
Por në të njëjtën kohë, qeveria, që do të përballet me disa zgjedhje në 2019, do të prezantojë një buxhet 2018 me shpenzime në rritje prej rreth 3%.
Një miliardë euro do t’i kushtohen rritjes së pensioneve, një problem që ka ngjallur manifestime të shumta këto muajt e fundit. Dy miliardë të tjera do të shkojnë për uljen e taksave mbi të ardhurat dhe për kategori të tjera në nevojë. /e.c/























