KUALA LUMPUR, 3 prill /ATSH-DPA / – Deputetët malajzianë miratuan dje ligjin për të luftuar lajmet e rreme (Fake News) me 123 vota pro dhe 64 kundër, ndërsa vendi është duke u përgatitur për zgjedhjet kombëtare.
Sipas projektligjit, ata që janë fajtorë për krijimin, ofrimin apo botimin e Fake News mund të gjobiten me mbi 100 000 dollarë dhe të dënohen deri në gjashtë vite burg. Ndërsa një projekt i mëparshëm i propozuar javën e kaluar sugjeronte një dënim me të paktën 10 vite burg.
Gjithashtu, kohët e fundit, vendet fqinje si Singapori dhe Filipinet kanë marrë propozime mbi disa ligje të reja për të frenuar atë që konsiderohet si lajm i rremë.
Ligji i ri, që prek mediat vendase dhe të huaja, ka nxitur dyshimet e kritikëve të qeverisë, se ai po përpiqet të shkëpusë vëmendjen nga një skandal që lidhet me përvetësimet e fondeve shtetërore.
Kryeministri Najib Razak ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin e këtyre fondeve./ /a.i/ a.jor.























