Ballina Kulturë

Filmi i Edmond Budinës ”Të Thyerit” në Itali

TIRANË, 3 Prill /ATSH/- Me skenar dhe me regji nga Edmond Budina, filmi artistik me metrazh të gjatë ”Të Thyerit” (Broken) do të ketë premierën italiane në Film Festival Europeo di Lecce, më 11 prill 2018.
Rolet në film regjisori Budina ia ka besuar aktorëve si Laert Vasili, Nikolla Llambro, Gladiola Harizaj, Sotiraq Bratko, Zamira Kita, etj. Filmi vjen si një bashkëprodhim shqiptaro-italian-bullgaro-maqedonas dhe është xhiruar në Shqipëri, Itali dhe Maqedoni.
Filmi u xhirua në 2015 dhe siç ka pohuar dhe më herët regjisori ka punuar disa vite për këtë projekt filmi. “Me skenarin tim për këtë projekt kam punuar prej 4 vitesh. Kisha shpresë për këtë projekt, sepse isha i bindur në atë që kam shkruar dhe kisha dhe mbështetjen e producentëve të huaj.
Filmi i cili është një bashkëprodhim shqiptaro-italian-maqedonas-bullgar dhe i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, pati premierën e tij në kinematë shqiptare në fillim të 2017-ës.
“Të thyer” sipas Budinës
Skenarist, regjisor, por në filmin ”Të thyer” Edmond Budina vjen dhe me një rol, ku interpreton personazhin e babait, i cili kalon një pjesë të madhe të jetës në burg. Projekti më i fundit i regjisorit të njohur, ka në vëmendje realitetin shqiptar dhe problemet e tij. Një film ku mund ta gjejnë veten shqiptarët, ku trajtohet ndotja e ambientit, korrupsioni, raporti prind-fëmijë.
“Ky projekt mbi filmin e merr spunton nga realiteti i sotëm shqiptar. Unë ngre probleme që shqetësojnë njerëzit. Ndotja e ambientit, raporti prind -fëmijë është një tjetër problem, korrupsioni, abandonimi i fshatit, mbyllja e prindërve nëpër azile, të gjitha këto janë në film në copëza të vogla, dhe kështu që secili mund ta gjejë veten në këtë”, thotë Budina.
“Por se sa përqind e shqiptarëve mund ta gjejnë veten në film, unë këtë nuk di ta them, por shpresojmë që sa më shumë ta gjejnë veten në filmin tonë. Shpresoj që të jetë një gjë tjetër nga ato që kemi parë deri tani dhe shqiptarët ta ndjejnë veten mirë në këtë film, pavarësisht se ka brenda edhe dhimbjen edhe humorin, i ka të gjitha bashkë”, ka treguar Budina për projektin e tij më të fundit në kinema.
Me projektet e tij në kinema regjisori Edmond Budina gjithmonë ka pasur në vëmendje realitetin dhe problemet me të cilat përballet shoqëria, siç ka pohuar preferon që tema e filmit të tij t’i flasë kohës./a.a//m.m/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHarry e Meghan, dasmë mbretërore prej 35 milionë euro
Artikulli tjetërTaksa e ndërtesës rritet për politikanët, zero për pensionistët