Ballina Aktualitet

Çlirim i ekonomisë nga oligarkët

TIRANË, 2 Prill/ATSH/.- Duke premtuar çlirimin e ekonomisë nga oligarkët, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të hënën nga Shkodra, se “ajo që nisi në Kukës nuk do të ndalet”.

Basha mori pjesë në një aktivitet në përkujtim të 2 prillit 1991, në nderim të 4 dëshmorëve që u ekzekutuan nga diktatura, Arben Brocit, Bujar Beshanakut, Besnik Cekës, Nazmi Kryeziut.

“2 prilli i vitit 1991 i mori Shkodrës dhe demokracisë 4 jetë të pakthyeshme, por na dha një dëshmi sa të pashlyeshme historike, po aq edhe aktuale”, tha Basha.

Duke komentuar situatën politike në vend dhe protestat për vendosjen e tarifës në “Rrugën e Kombit”, Basha akuzoi qeverinë se “po grabit Shqipërinë, duke ia dhënë atij që e paguan më shumë”.

“Nëse nuk çmontohet sistemi kriminal i kapjes së shtetit nga trekëndëshi politikan-oligark-kriminel, Shqipëria do të marrë fund”, tha Basha.

Një PD e çliruar nga korrupsioni, krimi dhe oligarkët, sipas Bashës, ka vetëm interesin e njerëzve. “Nuk do të falim askënd që ka bashkëpunuar me krimin dhe ka grabitur”, tha ai. /m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProtestë para drejtorisë së Policisë së Tiranës, kërkohet lirimi i të arrestuarve
Artikulli tjetërTirana mirëpret për herë të parë kampionatin “Survivor Games”