Ballina Aktualitet

Shqipëria, sukses në zbatimin e Menaxhimit të Integruar të Kufirit

TIRANË, 27 Mars/ATSH/.-  Suksesi i Shqipërisë në zbatimin e Menaxhimit të Integruar të Kufirit solli në vendin tonë një delegacion të Policisë Kufitare të Taxhikistanit.

Delegacioni po zhvillon një vizitë studimore në Shqipëri, vizitë kjo e mundësuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Zyrën e Programit të OSBE-së në Dushanbe.

“Shqipëria është përzgjedhur për këtë vizitë si ndër vendet që ka pasur sukses në zbatimin e Menaxhimit të Integruar të Kufirit”, thuhet në një njoftim të OSBE-së.

Qëllimi i vizitës është të shohë nga afër zbatimin e Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufirit, bashkëpunimin mes vendeve te rajonit, si dhe të përfitohet nga përvoja dhe praktikat më të mira të autoriteteve shqiptare gjatë procesit të kalimit të forcave të ruajtjes së kufirit nga një forcë ushtarake në një strukture ligj-zbatuese civile policore.

Delegacioni taxhik kryesohet nga Gjenerali i Policisë Kufitare, Rajabali Rahmonali dhe përbëhet nga përfaqësues të nivelit vendim-marrës të Kufirit si dhe aparatit Presidencial, të cilët shoqërohen nga tri përfaqësues të Zyrës së Programit të OSBE-së në Dushanbe./m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Kur dashuria kthehet në poezi”, koncerti që bashkon artistë shqiptarë e italianë
Artikulli tjetërFëmijët me aftësi të veçanta, mbështetje për integrimin e tyre