TIRANË, 25 Mars/ATSH/.- Qeveria qëndrore vazhdon gatishmërinë maksimale për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet në Shkodër.
Kështu deklaroi sot zëvendëskryeministrja Senida Mesi gjatë inspektimit të zonave të përmbytura në komunën e Dajçit, Shkodër, ku ndodhej bashkë me ministren e Mbrotjes, Olta Xhaçka.
“Koordinimi mes të gjithë instancave dhe transparenca nga ana e njësive vendore është tepër i rëndësishëm. Fatmirësisht, është rritur sensibilizimi edhe nga komuniteti i biznesit dhe shoqatave”, theksoi Mesi.
Zv/kryeministrja Mesi bëri të ditur se deputeti i Vlorës Vullnet Sinaj ndodhet sot në Shkodër bashkë me një grup biznesmenësh.
Ajo u shpreh se “nuk duhet të limitohemi vetëm me menaxhimin e situatave të rënduara, por edhe në zgjidhje afatgjatë pas kalimit të situatës”.
Ndërsa ministrja Xhaçka theksoi se situata drejt përmirësimit ku niveli i ujit ka rënë me 20 cm krahasuar me dje.
Ajo tha se fokusi i ditës është ofrimi i ndihmave për çdo banor në vështirësi ndërsa menjëherë pas largimit të ujit do të nisë vlerësimi i dëmeve.
“Zgjidhja afatgjatë për situatën do të përcaktojë edhe penalitete për bashkitë që nuk marrin masa parandaluese për situata të tilla”, tha ajo.
Ministrja u shpreh se duhet të punojmë bashkë me qeverinë vendore që situata e këtyre ditëve të mos përsëritet.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes bën të ditur sot se deri tani janë angazhuar 148 forca, 27 mjete, 6 motobarka dhe 2 pompa thithëse dhe po veprojnë në Obot, Livade, Dajç, Velipoje, Belaj, Trush, Bushat.
“Janë transportuar 87 banore, janë shpërndarë 1500 kg ushqime, 31500 litra ujë i pijshëm, 400 kg koncentrat,vazhdon largimi i ujit nga banesat dhe objektet e rëndësishme me pompa thithëse”, thekson njoftimi i ministrisë.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se vazhdon koordinimi me pushtetin vendor për transportimin e ushqimeve, ujit dhe koncentratit në zonat e përmbytura, ku janë nisur dhe 20 ton koncentrat. Ndërsa nesër mbërrijnë edhe 40 ton koncentrat për bagëtinë.
/k.s/



































