PRISHTINË, 22 Mars/ATSH/.- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi sot punën e palodhshme dhe të mbështetur në fakte të Komisionit për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
Në një postim në Facebook, Haradinaj shkruaj se “argumentet e komisionit ndihmuan shumë lidershipin politik për të marrë vendime të duhura shtetërore, e veçanërisht puna e e tyre i ka ndihmuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët me ratifikimin e Marrëveshjes i dhanë përgjigje një çështjeje që kishte mbetur pezull plot tre vjet”.
“Pjesë e marrëveshjes së ratifikuar është edhe raporti i Komisionit dhe deklarata e dy presidentëve që na detyron të bëjmë korrektimet e nevojshme në drejtim të Çakorrit dhe Kullës. Përkrahja e Komisionit për formimin e trupës së përbashkët me Malin e Zi është jetike në procesin e korrigjimeve të vijës kufitare sipas ligjit të ratifikuar dje”, shprehet Haradinaj.
Kuvendi i Kosovës ratifikoi në seancën e së mërkurës, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi./k.s/























