Shqipëria e vendosur në rrugën drejt reformave

TIRANË, 21 mars /ATSH/ – Në pritje të progres raportit të Komisionit Europian mbi Shqipërinë, Federica Mogherini, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian la të kuptohej dje se Komisioni Europian do të japë brenda muajve të ardhshëm rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit, shkruan brusselsexpress.

Ajo po fliste në një mbledhje që zhvillohej në një sallë të mbushur plot në Parlamentin Europian të thirrur nga zëvendëspresidenti i Parlamentit, David Maria Sassoli për të mirëpritur Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, të cilët po vizitojnë Brukselin për të mbështetur fushatën shqiptare për në BE me qëllim që të merret një vendim pozitiv në mbledhjen e Këshillit në qershor për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani e mirëpriti iniciativën shqiptare duke folur ngrohtësisht për lidhjet e rëndësishme rajonale dhe ekonomike mes Italisë dhe Sqipërisë. Ai e bëri të qartë se kjo çështje duhet të kapërcejë mosmarrëveshjet e grupeve politike në shtëpi, se Parlamenti kishte një vizion të qartë në përkrahje të zgjerimit të BE-së me vende nga Ballkani Perendimor dhe iu drejtua Komisionit Europian për të bërë një rekomandim të qartë mbi rrugën për të ecur përpara.

Kryeministri Edi Rama theksoi përpjekjet e bëra dhe vështirësitë që ishin kapërcyer për të arritur në këtë fazë vendimtare të rrugës së Shqipërisë drejt vizionit të saj euroatlantik.

Në veçanti, Shqipëria ka ndërmarrë hapa për një rishikim të plotë në sistemin e drejtësisë dhe aktualisht  po përjeton një transformim të madh të të gjithë sistemit të vetingut dhe emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ky proces ka qënë nën kontrollin e monitorimit ndërkombëtar, sepse Shqipëria ka dashur praninë e ndërkombëtareve në mënyrë që reformat të ishin të vërteta dhe efektive.

Megjithëse,  Mali i Zi dhe Serbia tashmë ishin më të avancuara në negociatat e tyre me BE-në, reforma në drejtësi ishte një nga fushat ku Shqipëria ishte krenare që kishte arritur të ishte pionerja në rajon , duke sjellë një lidership rajonal që ai shpresonte se do të nxiste ndryshime të ngjashme në vendet e tjera të rajonit.

Ai tha se Shqipëria tani po hynte në një fazë të re të ndërtimit të shtetit dhe përmirësimit të demokracisë në jetën e përditshme të çdo qytetari të zakonshëm.

Ai u bëri thirrje parlamentarëve të mbështesin hapjen e bisedimeve të pranimit në BE për të ndihmuar Shqipërinë që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për popullin.

Hapja e bisedimeve nuk ishte një qëllim në vetvete, por vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe të vështirë.

Kjo ka qënë mëse e qartë në Shqipëri, por nuk kishte një mënyrë tjetër dhe procesi i punës drejt integrimit do të paraqiste një dinamizëm dhe motivim që do t’i bashkonte të gjithë në Shqipëri për të punuar drejt vizionit strategjik të vendit për një të ardhme në BE.

Në takim ishin të pranishëm shumë parlamentarë të lartë, përfshirë Elmar Brok dhe Norbert Neuser të Gjermanisë, Andrey Kovatchev i Bullgarisë, Dimitrios Papadimoulis dhe Giorgios Epitideios të Greqisë, dhe Elly Schlein e Italisë.

Ishte e qartë nga pjesëmarrja dhe toni i debatit të djeshëm të grupit të miqësisë së David Maria për Shqipërinë se bëhej fjalë për një mbështetje më të madhe sesa vetëm ajo rajonale për strategjinë e Komisionit për Ballkanin Perëndimor,dhe  gjithashtu pati një element të fortë ndërpartiak.

Kjo tregon se kur Parlamenti merr mbeshtetje,  kjo mund të shërbejë si  një forcë vendimtare për të ndërnarrë hapa pozitive strategjike.

Raportuesi për Shqipërinë i Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein, paralajmëroi duke thënë se gjatë periudhës parapërgatitore deri në konferencën e Sofjes të 17 majit dhe vendimit përfundimtar të Këshillit Europian për zgjerimin, që pritet të dalë në qershor, mbetej ende punë për t’u bërë. Një rezultat pozitiv nuk mund të merret apriori dhe është e domosdoshme të punojmë së bashku për të grumbulluar të gjitha argumentet për t’iu kundërvënë negativistëve, populistëve, euroskeptikëve dhe demagogëve të cilët janë kundër zgjerimit të BE-së.

Fleckenstein theksoi kjo nuk ishte çështje e një partie politike dhe se për këtë gjë Parlamenti duhet të qëndronte fort pas rekomandimit të Komisionit Europian, pasi muajt e ardhshëm ishin shumë të rëndësishëm dhe se, nëse vendimi do të ishte negativ apo do të shtyhej, atëhere ekzistonte rreziku që kjo çështje të shtyhej edhe për shumë vite të tjera.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati foli për efektin transformues që do të kishte për Shqipërinë dhe qytetarët e saj fillimi i negociatave të anëtarësimit me BE-në. Ky hap i rëndësishëm do të sillte përfitime për të dyja palët; një gjë e rëndësishme për t’u ditur ishte fakti se Shqipëria ishte një serioze në bindjen dhe vizionin e saj. Akti i hapjes së negociatave të anëtarësimit do të kishte efekt pozitiv që do t’u jepte qytetarëve shqiptarë dhe bizneseve një perspektivë të qartë, që në vetvete do të sillte një progres dinamik./  /p.s./  /a.i/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.