TIRANË, 21 Mars / ATSH / – Sot në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, në bashkinë e Gramshit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, mbolli pemën e 1 miliontë. Iniciativa për të mbjellur 20 milion e 200 mijë pemë, brenda vitit 2022 vazhdon në të gjitha qarqet e vendit.
Kështu në Malin e Taraboshit u finalizua nisma “Më shumë frymë për Shkodrën ,Të Pyllëzojmë Taraboshin”.
Kjo nismë ka filluar që ne muajin Nëntor 2017 dhe deri më sot janë mbjellë rreth 6000 fidanë pishe të egër.
Shumica e fidanëve janë mundësuar nga kontributi i qytetarëve të Shkodrës si dhe nga institucione të pushtetit qendror dhe atij vendor. AdZM e Shkodrës e ka mbështetur nismën që në fillesat e saj, duke kontribuar si në blerjen e fidanëve, hapjen e gropave dhe mbjelljen e tyre.
Në disa qarqe të vendit ka pasur sot iniciativa të tilla në mbjelljen e fidanëve të rinj si në Elbasan, Divjakë, AdZM e Beratit etj, që janë finalizuar me pyllëzimin e sipërfaqeve të lira apo dhe të dëmtuara.
Këto nisma janë mbështetur nga qytetarët e zonave, nxënësit e shkollave dhe shoqatat mjedisore. /a.g/



















