Kosovë- Sot votimi për ratifikimin e demarkacionit

PRISHTINË, 21 Mars  /ATSH/.-Votimi në Kuvendin kosovar i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi do bëhet të mërkurën e 21 marsit, në orën 11:00.

Kjo u vendos me shumicë votash rreth një orë pas mesnatës, derisa në sallë ishin vetëm 69 deputetë të Kuvendit të Kosovës me 120 anëtarë, pas debatit edhe me shumë replika në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme plenare, të nisur në 20 mars pas orës 16:00.

Sipas deklaratave, vota pro do jetë nga grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, LDK opozitare me 27 deputetë dhe nga maxhoranca – PDK me 23 deputetë, AAK me 11, Nisma me 6, Grupi Gjashtë Plus i komuniteteve pakicë me 6,  AKR me 2 deputetë pa grup parlamentar dhe nga 4 deputetë të tjerë pa grup parlamentar, mes të cilëve një serb që është deklaruar pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin, që është edhe një kusht i BE për liberalizimin e vizave.

Lëvizja Vetëvendosje me 19 deputetë dhe grupi i 12 deputetëve të ndarë javën e kaluar nga ajo paralajmëruan votë kundër. Madje, Vetëvendosje  solli në Kuvendin e Kosovës dhe e vendosi para kryeministrit peticionin në paketa me mbi 205 mijë nënshkrime të qytetarëve kundër Projekltiligjit për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, i cili ishte i organizuar bashkë me AAK-në kur ishte në opozitë, e që tani udhëheqë me qeverinë.

Grupi parlamentar i Listës Serbe nuk mori pjesë fare në seancë, pasi për të “tema e të ashtuquajturit demarkacion nuk ekziston fare”.

“As që na intereson kjo çështje, me të le të merren partitë shqiptare në përputhje me programet e veta politike”,  ka deklaruar në një komunikatë partia serbe, e cila ka grupin parlamentar me 10 deputetë në Kuvend dhe 3 ministra në qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve është edhe zëvendëskryeministër.

Për kalimin e Projektligjit duhen dy të tretat e votave, së paku 80. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për demarkacionin kishte katër shtyrje në pritje të sigurimit të numrit të nevojshëm të votave./b.j/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.