TIRANË, 20 Mars /ATSH- I. Vata/ -Kryefjalë e qeverisë do të jetë lufta kundër korrupsionit”, deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në forumin e parë konsultativ antikorrupsion që u zhvillua sot në Tiranë.
Në fjalën e saj, Gjonaj tha se “të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që korrupsioni përbën një kërcënim real për rendin demokratik dhe social të Shqipërisë, duke kërcënuar kështu parimet e barazisë para ligjit, të paanshmërisë së administratës publike dhe konkurrencës e lirë në sektorin privat. Ky fenomen ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit tonë dhe minon besimin e publikut tek administrata shtetërore dhe të shërbimit që ajo ofron për qytetarët”.
Më tej, Gjonaj tha se qeveria shqiptare ka qenë gjithnjë e fokusuar te lufta kundër korrupsionit, duke u përpjekur të ndërtoj një sistem efikas të administratës publike si një domosdoshmëri për parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni. “Reformat shumë të rëndësishme që janë në proces si reforma në drejtësi, reforma e derregullimit, reforma për qeverisjen elektronike, reforma e shërbimeve, përbejnë një parakusht shumë të rëndësishëm për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit”, tha ministrja.
Nga ana tjetër, tha Gjonaj se janë tre shtyllat për luftën kundër korrupsionit si transparenca, integriteti dhe derregullimi që po zbërthehen në mekanizma dhe veprime që mundësojnë krijimin e sistemeve për t’u përkthyer këto reforma në rezultate të prekshme për qytetarët.
“Jemi në zbatimin e strategjisë ndërsektoriale antikorrupsion, 2015-2020 dokument i cili integron kontributet e institucioneve të qeverisjes qendrore dhe vendore, të institucioneve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, për të zbatuar masat dhe planet antikorrupsion. Plani i veprimit i kësaj strategjie antikorrupsion është drafti i parë që do vendosë një standard të ri”, tha ajo.
Gjonaj tha se “pas viti 2016, pas një procesi dy vjeçar të konsultimit me publikun është në fuqi ligji i sinjalizimit për mbrojtjen e sinjalizuesit i cili ka për qëllim të mbrojë sinjalizuesit për të ndërtuar një strukturë të re, për të hetuar dhe luftuar korrupsionin. Sinjalizimi është një strukturë e re që ka të bëjë me rritjen e integritetit dhe të përgjegjshmërisë”.
“Tradicionalisht por jo vetëm në Shqipëri, vetëm një pjesë e rasteve shkojnë për ndjekje penale për shkak se korrupsioni zhvillohet në mënyrë të fshehtë. Pikërisht nëpërmjet këtij fakti organet ligj zbatuese të kenë sukses është bashkëpunimi me sa më shumë aktor të shoqërisë. Shoqëria civile, institucionet e pavarura dhe në mënyrë të veçantë publiku kanë qenë dhe do të jenë aleatë të qeverisë në luftë kundër korrupsionit. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që korrupsioni është një kërcënim real i vetë demokracisë në vend”, tha ajo.
“Reforma shumë të rëndësishme që janë në proces, përbejnë një kusht të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin. Që lufta të ketë sukses duhet që të marrin pjesë shumë aktorë si shoqëria civile dhe publiku do të jenë aleatë të qeverisë”, tha ajo.
“Integriteti, konflikti i interesit, transparenca do jenë kryefjala e veprimtarisë së koordinatorit antikorrupsion në vitin 2018. Sfida jonë është jo vetëm që të ulim korrupsioni. Pjesëmarrja drejtpërdrejtë e publikut është një nga fenomenet kyç që ndikon në suksesin e luftës kundër korrupsionit”, shtoi ministrja.
Po ashtu, Gjonaj tha se “Kryeministri dhe kabinetit qeveritar në mënyrë të vazhdueshme kanë ftuar qytetarët të bëhen pjesë e kësaj luftë pikë se pari duke refuzuar të paguaj ryshfet për çfarë do shërbimi që atyre u takon me ligj është e detyruar të ua ofrojnë atë dhe nga ana tjetër, duke denoncuar të gjitha rastet e korrupsioni të punonjësve të administratës apo persona të tjerë”.
Duke folur për masat e qeverise, Gjonaj tha se “do vazhdojmë në këtë rrugë duke shtuar masat si qeveri për të forcuar sistemin, për të rritur kontrollin mbi administratën publike dhe për të evidentuar dhe çuar para drejtësisë të gjithë ata që shpërdorojnë detyrën për të bërë korrupsion, por në të njëjtën kohë duke qenë të hapur për çdo propozim për mënyrën që të bëjmë më efikas këtë aksion qytetar”.
“Jemi të vendosur që lufta ndaj korrupsionit të jetë kryefjala e këtij mandati, kjo në shërbim të qytetarëve por edhe në shërbim të suksesit të çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE. Duke qenë në një front të përbashkët do të kemi sukses ndaj këtij fenomeni që është sot një shqetësim real jo vetëm për vendin tonë por dhe për vende me demokraci shumë herë më të konsoliduar se ne”, tha Gjonaj.
Në fund, Gjonaj falenderoi partnerët ndërkombëtarë dhe BE, që sipas saj, ka qenë promotor i iniciativave dhe përpjekjeve duke e mbështetur qeverinë shqiptarë në reformat e rëndësishme siç është reforma kundër korrupsionit apo reforma në drejtësi, por për të gjitha insiciativat tona të mëdha për shtetbërjen”. /a.g/




























