Ballina Bota

SHBA – Trump dyshon në integritetin e ekipit të prokurorit special Mueller

UASHINGTON, 19 mars /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump kritikoi ashpër integritetin e ekipit të prokurorit special Robert Mueller, duke nxitur disa deputetë republikanë ta paralajmërojnë kundër tundimeve për ta larguar, një linjë e kuqe në sytë e tyre.

Dy ditë pas shkarkimit të ish-numrit dy të FBI-së, Andrew McCabe, që e kishte shënjestruar prej disa muajsh, presidenti amerikan kishte publikuar një seri të re mesazhesh në “Twitter”, duke theksuar se është viktimë e një “gjuetie shtrigash”.

Ish-shef i FBI-së, Robert Mueller heton mbi dyshimet për bashkëpunim mes ekipit të fushatës së Trumpit dhe Rusisë, por gjithashtu përpiqet të përcaktojë nëse veprimet e presidentit kanë penguar drejtësinë.

“Përse ekipi i Muller përbëhet nga 13 demokratë të thekur, disa prej të cilëve janë mbështetës të mëdhenj të Hillary të pabesë dhe ka Zero republikanë? Një tjetër demokrat është shtuar së fundmi… A ka ndonjë që mendon se kjo është e drejtë? Dhe mbi të gjitha, NUK KA BASHKËPUNIM!”, shkruan në “Twitter”, Trump duke gjykuar se ky hetim nuk duhet të ishte hapur asnjëherë.

I emëruar në krye të FBI-së në vitin 2001 nga presidenti republikan George W. Bush, Robert Mueller u riemëruar në këtë post edhe nga presidenti demokrat Barack Obama.

Gjatë emërimit të tij si prokuror special, ai u përshëndet nga një shumë republikanë me peshë për rreptësinë dhe integritetin e tij./  /G.S/  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKëmisha e bardhë, e preferuara e pranverës 2018
Artikulli tjetërKori “Siparantum” i Pejës në festivalin ndërkombëtar “NANCY voix du monde”