TIRANË, 19 Mars/ATSH/ – Me rastin e ceremonisë së festës kombëtare të Greqisë, ambasada greke në Tiranë ka zhvilluar një pritje me personalitete të ndryshme shqiptare tek “Plazza” në kryeqytet.
Ambasadorja greke në Tiranë, Eleni Surani është shprehur se Greqia e mirëpret progresin e Shqipërisë edhe është e hapur për zgjidhjen e problemeve dypalëshe mes vendeve, ndërsa ka theksuar se marrëdhëniet mes dy qeverive, aktualisht janë në proces të çuarjes në nivel më të lartë.
“Dy qeveritë tona aktualisht janë në proces të çuarjes së marrëdhënieve në një nivel sa më të lartë, duke iu drejtuar çështjeve në pritje dhe duke hequr kështu stereotipin dhe paragjykimin e bazave të cilat nuk i lënë potencialin marrëdhënieve tona të lulëzojnë. Unë jam e bindur se me angazhimin e fortë dhe vullnetin politik të dy vendeve dhe udhëheqjes së tyre përkatëse, ne mund të arrijmë rezultatin e suksesshëm të procesit. Kjo është ajo që dëshirojnë popujt tanë dhe nevojat e fqinjësisë sonë”
Sakaq, ambasadorja ka vlerësuar rolin e Greqisë në ruajtjen e paqes në rajon, për shkak edhe të faktit se kjo e fundit është anëtare më e vjetër e BE-së dhe NATO-s.
“Në rajonin tonë, Greqia, duke qenë anëtare më e vjetër e BE-së dhe NATO-s, ka një përgjegjësi të veçantë për të promovuar paqen në rajonin tonë dhe më gjerë. Me këtë frymë zhvillojmë marrëdhëniet tona me fqinjët tanë dhe natyrisht edhe me Shqipërinë”, u shpreh ajo.
Ambasadorja Surani solli në vëmendje edhe vitin 1991, ku mijëra familje shqiptare emigruan në shtetin fqinjë, duke i qëndruar pranë Shqipërisë me vepra dhe jo vetëm me fjalë.
“Greqia ka qenë mbështetëse e zjarrtë e Shqipërisë në çdo hap drejt rrugës së saj euro-atlantike. Një mik në nevojë është një mik i vërtetë. Edhe Shqiptarët e dinë që në vitet e vështira të ’90, Greqia vërtetoi se ishte një mike e vërtetë. Dhe unë mund t’ju siguroj se çdo sukses i Shqipërisë në të gjitha fushat, është një burim gëzimi për Greqinë, sepse gjithçka që duam është fqinjë të qëndrueshëm dhe të begatë dhe kemi punuar shumë për këtë”, përfundoi ajo. z.tosku//e.caushi/




























