FOTO/ Diell dhe festë në kryeqytet

TIRANE, 14 Mars /A.Alla ATSH/ – ”Dita e Verës” ka veshur sot kryeqytetin me hijeshi, gëzim dhe festime që në orët e para të mëngjesit.

Tirana ka pritur ardhjen e pranverës më bukur se kurrë këtë vit ku mijëra qytetarë të të gjitha grup moshave kishin mbushur sheshet kryesore duke shijuar dhe festuar aktivitetet e shumëllojshme të organizuara nga Bashkia e Tiranës e cila u ka ofruar të gjithë qytetarëve hapësira të larmishme argëtimi.

Aktivitetet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit ku nxënës të shumtë nga shkollat e kryeqytetit kanë parakaluar në orën 10:00 të veshur ndryshe nga herët e tjera duke sjell ”Karnavalet e Tiranës” pranë qytetarëve.

Ata zhvilluan një paradë duke u nisur nga sheshi ”Skënderbej” drejt Liqenit Artificial dhe sollën një atmosferë shumë të bukur ku binin në sy kostume të ndryshme e fytyra të vizatuar për të uruar ardhjen e pranverës.

Muzikë, karnavale, teatër, cirk, por edhe këndi i piktorëve, oazi i lojërave për fëmijë, dhe aktivitete të tjera argëtuese gjallëruan Parkun e Liqenit në këtë ditë feste.

Profesionistë të lundrimit bënë demonstrime me varka dhe kanoe në ujërat e liqenit Artificial.

Gjithashtu një pjesë tjetër e Tiranës që ishte e mbushur me të rinj, ishte bulevardi ”Dëshmorët e Kombit” të cilët shijonin tingujt e muzikës nga artistët më me zë të momentit si Arilena Ara, Sidrit Bejleri, Eneda Tarifa e shumë të tjerë.

Sheshi përpara koncertit ishte mbushur me publik që në orën 10:30 që nisi ky koncert e do të vazhdojë deri në 14:30 për tu shijuar nga të rinjtë të cilët argëtohen nën ritmet e muzikës duke kërcyer e duke pritur të gëzuar ardhjen e stinës më të bukur të vitit pranverën.

Atmosfera e ngrohtë dhe festive shihej dhe në rrugët e kryeqytetit të cilat ishin të mbushura me ëmbëlsirën tradicionale ballokumet e ku nuk mungonin as veroret si simbol dhe protagoniste kryesore e Ditës së Verës. /m.m/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.