Lufta kundër krimit, rritet bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës

Tiranë, 12 Mars/ATSH/- Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka pritur sot në takim zyrtar drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë Ardi Veliu, të cilët diskutuan rreth bashkëpunimit të ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar, sigurisë dhe terrorizmit.

Në takimin i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, Drejtori Maxhuni njoftoi të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e Policisë së Kosovës si dhe përkushtimin e vazhdueshëm në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.

“Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.”

U veçua se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të shkëlqyer me autoritet policore të Shqipërisë, bashkëpunim ky i cili ka treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme duke përfshirë edhe sukseset në patrullimet e përbashkëta policore.

Ndërsa drejtori i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, konfirmoi se do ti kushtoi rëndësi vazhdimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët policor, duke përfshirë edhe lehtësimin e kalimit kufitar.

Gjatë takimit u zotua për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, duke përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave policore përmes zyrtarëve policor, trajnimeve në fusha të ndryshme me qëllim të avancimit të mëtejmë të dy policive, e që kanë synime të përbashkëta në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, duke përfshirë atë trans kufitar./KosovaPress//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.