ITALI – Renzi kundër çdo marrëveshjeje të mundshme me partitë anti-sistem

ROMË, 12 mars /ATSH-AFP/ – Matteo Renzi, i cili dha dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike (PD, qendra e majtë), është kundër çdo marrëveshjeje të mundshme me fituesit e zgjedhjeve parlamentare të 4 marsit në Itali, sipas një interviste të publikuar sot nga ”Corriere della sera”.

”Asnjë qeveri e drejtuar nga Lëvizja Pesë Yjet nuk mundet të marrë votëbesimin e PD-së”, deklaroi Renzi duke konfirmuar qëndrimin e tij kundër një marrëveshjeje të mundshme me Lëvizjen Pesë Yjet, e cila u rendit partia e parë në Itali me 32,7% të votave.

Ai për më tepër nuk parashikon një marrëveshje me koalicionin e së djathtës, tashmë i drejtuar nga Liga e Matteo Salvinit (ekstremi i djathtë), i cili u rendit i pari me 37% të votave.

Matteo Renzi, partia e së cilit fitoi 18,7% të votave më 4 mars, dha dorëheqjen nga posti i sekretarit të përgjithshëm të PD-së. Ai u shpreh se nuk kishte ndërmend të largohej nga partia.

Disa anëtarë të kryesisë së PD-së hedhin poshtë mundësinë e çdo aleance me L5Y, por gjithsesi mbrohet si tezë nga një pakicë brenda partisë.

Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, i cili do të nisë konsultimet në fillim të muajit prill, u bëri thirrje javën e kaluar liderëve të politikës italiane për të dëshmuar ”përgjegjshmëri”, një mesazh që u interpretua menjëherë nga mediat italiane si një ftesë drejtuar PD-së për arritjen e një marrëveshjeje me forcën anti-sistem të L5Y.

”Thirrjet për përgjegjshmëri janë ende të vlefshme, por ato u drejtohen grupeve parlamentare më të rëndësishme”, u përgjigj Renzi.

“L5Y dhe koalicioni i drejtuar nga Matteo Salvini kanë të drejtën dhe ndoshta edhe detyrën që të përpiqen. Sovranistët kanë të njëjtin program për vaksinat, Europën, imigracionin, taksat, burokracinë. Ta formojnë qeverinë nëse ia dalin mbanë”, sqaroi Renzi./
/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.