LONDËR – Vdes John Sulston, fituesi i Çmimit Nobel për Mjekësi

LONDËR, 10 mars /ATSH-AFP/ – Fituesi i Çmimit Nobel për Mjekësi, John Sulston një nga figurat e shquara të deshifrimit të gjenomit njerëzor vdiq në moshën 75-vjeçare, njoftoi të premten Instituti që ai themeloi.

Mike Stratton, drejtori i ‘Wellcome Sanger Institute’ e përshkroi profesorin si një njeri të madh të shkencës dhe lider vizionar.

John Sulston u nderua në vitin 2002 me Çmimin Nobel në Mjekësi së bashku me kolegun e tij britanik, Sydney Brenner dhe amerikanin, Robert Horvitz për zbulimin e tyre mjaft të rëndësishëm mbi rregullimin gjenetik të zhvillimit të organeve dhe vdekjes së programuar të qelizave.

Zbulimi i tyre përbën një kontribut jetësor në studimet që hedhin dritë mbi sëmundjen e kancerit.

Por Sulston ishte ndoshta më tepër i njohur për rolin kyç të Britanisë së Madhe në një projekt ndërkombëtar që kishte si objektiv paraqitjen e gjenomit njerëzor dhe ndikimet e tij, në mënyrë që këto të dhëna të jenë në shërbim të publikut të gjerë./
/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.