TIRANE, 6 Mars/ATSH/- Drejtori i Përgjithshëm e Agjencisë së Legalizimit (ALUIZNI), Artan Lame deklaron se situata në sistemin hartografik në vend është problematike, ndërsa shpreh besimin se në krye të mandatit, do të arrihet t’u ofrohet shqiptarëve një zyrë hipoteke e saktë dhe me hartografi moderne.
Nisur nga publikimi i një kronike në një media në vend, ku paraqiteshin qytetarë në radhë pranë sporteleve të zyrave të regjistrimit të pasurive në Korçë, Lame thotë se megjithëse është përmirësuar ndjeshëm shërbimi sërish ka vend për më tepër. Ai shton se problemi nuk është te radhe por tek gjendja e sistemit hartografik
“Nuk është thjesht harta me vrimë, është shteti shqiptar që i është bërë një vrimë e madhe në dinjitetin e vet”, shkruan lame në një postim në rrjetin social ‘facebook’, ku krahas komentit të tij ka publikuar edhe foto të hartave të dëmtuara të kësaj ZRPP-je.
Sipas tij, situata e ZRPP-ve është kapur në momentin e kapitullimit të plotë të këtij institucioni themeltar të shtetit.
Lame shprehet më tej se u deshën 30 vjet për ta katandisur zyrën e tapive të shtetit në gjendje të mjerueshme.
“Do na duhen të paktën tre vjet tani që ta ribëjmë nga themelitë dhe, në krye të mandatit, t’u japim shqiptarëve një zyrë hipoteke të saktë, të besueshme, të digjitalizuar dhe me hartografi moderne. Në këta tri vjet do përpiqemi shumë, ndoshta do shohim edhe skena të tjera si ato të Korçës, por vullnetin për punë e kemi të plotë dhe besimin në mirëkuptimin tuaj e kemi edhe atë”, shkruan Lame.
/a.gjonaj//e.caushi/






















