Video/ Durrës, ngrihen grupet e punës për projektin madhor për rezervuarët


TIRANË, 5 Mars/ATSH-Z.Tosku/ – Në të tre bashkitë e qarkut të Durrësit ka nisur pastrimi i kanaleve të dyta e të treta, si dhe i kanaleve të larta, ndërsa janë ngritur grupet e punës për projektin madhor në bashkëpunim me Bankën Botërore mbi rezervuarët.

Prefekti i Durrësit, Roland Nasto ka shpjeguar për ATSH-në se prej disa kohësh ka nisur pastrimi i kanaleve për shmangien e përmbytjeve të mundshme, apo situatave emergjente për shkak të reshjeve të shiut.

“Në bashkinë e Durrësit ka filluar një punë jashtëzakonisht e mirë për kanalet e ujërave të larta që mbulojnë të gjitha kodrat e Durrësit. Po punohet jashtëzakonisht mirë dhe jemi në gjysmën e punës së këtij kanali, duke ditur që ky kanal në të dy krahët e tij ka ndërtesa të ndryshme, që janë ndërtuar në vite dhe kishte kohë që nuk pastroheshin këto kanale”, ka thënë ai.

Më tej, Nasto ka vënë në dukje se po vijon puna edhe në kanalet e njësisë së Shkozetit, ndërsa në njësinë 6 ka përfunduar pastrimi i kanaleve.

“Vazhdon puna në kanalet e njësisë së Shkozetit, janë dy-tre kanale që po punohet nga kjo ndërmarrje dhe mund të themi që në njësinë 6, në Kënetë, janë përfunduar të gjitha kanalet e pastrimit, që edhe në zonën e kënetës të mos kemi probleme me përmbytjet. Me mbarimin e këtyre kanaleve mund të themi që, qyteti i Durrësit nuk do të ketë asnjë lloj përmbytje”, ka theksuar Nasto për Agjencinë Telegrafike.

Prefekti Nasto ka dhënë detaje lidhur me projektin madhor të rezervuarëve, ndërsa ka deklaruar se në qytetin e Durrësit në bashkëpunim me Bankën Botërore, aktualisht po bëhet mbledhja e ujërave të ndryshme, nga Vollga deri në Kënetë.

“Aktualisht, në të tre bashkitë e qarkut të Durrësit janë ngritur grupet e punës dhe po punohet për kontrollin e të gjithë rezervuarëve dhe ujëmbledhësve që ata kanë në zotërim. Kjo bëhet për të marrë masat e duhura për të gjithë rezervuarët, pasi ka një kohë të gjatë që nuk është punuar siç duhet. Ky projekt po vihet në zbatim për t’i paraprirë çdo lloj situate”, ka përfunduar Nasto.

 

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.