Ballina Ekonomi

Rriten çmimet e mallrave të eksportit

TIRANE, 5 Mars/ATSH/- Çmimet e mallrave për eksport gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017 shënuan rritje me 4.6%, krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, bëhet e ditur në raportin e publikuar sot nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Në vlerë përgjatë gjithë vitit 2017, eksportet e mallrave llogariten 273 miliard lekë, duke u rritur me 12.1%, krahasuar me një vit më parë.

Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, edhe çmimet e prodhimit për produktet vendase shënuan rritje me 0.9%.

Në tremujorin e katërt të vitit 2017, çmimet e prodhimit shënuan rritje me 2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 1.7%, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2017.

Sipas INSTAT-it, rritjen më të madhe e kanë shënuar çmimet e prodhimit të industri nxjerrëse me 7.8%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 11.7%.

Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e prodhimit në aktivitetet e industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 1.6 %.

Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin e metalurgjisë me 6.2%, prodhimi i produkteve minerale jo-metalike me 4.5% dhe konfeksionimi i veshjeve me 0.3%.

/a.gjonaj//e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBELGJIKË – Tetë të arrestuar në Molenbeek me dyshimin për terrorizëm
Artikulli tjetërGREQI – Rikthehet rritja ekonomike për vitin 2017