TIRANË, 15 Shkurt / ATSH / – Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit në Shqipëri (PPNEA), ka publikuar një shqetësim për atë që ka të bëjë me vrasjen e kafshëve të egra dhe balsamosjen e tyre duke i ekspozuar nëpër lokale.
Konstatimi i fundit është bërë në një lokal në Boboshticë të qytetit të Korçës.
Shqiponja e malit, arinj të murrmë, huta, kukuvajka, dhi të egra, kapronj, lundërza janë vetëm disa nga kafshët e balsamosura që mund të gjenden në një restorant në Boboshticë.
Sipas raportimit të ardhur në faqen syrigjelbër.info, në një nga restorantet kryesorë në këtë fshat gjenden shumë lloje të jetës së egër, të cilat janë kapur, vrarë dhe më pas balsamosur për të zbukuruar lokalin dhe duke e kthyer atë në një kopsht të vërtetë zoologjik me kafshë të ngordhura.
Bije në sy prezenca e madhe e arinjve të murrmë, mes tyre edhe këlysh. Një pjesë e këtyre kafshëve janë me status të rrezikuar dhe mbrohen rreptësisht me ligj.

























