Ballina Kryesore

Restaurohet ikona “Mbledhja e Kryeengjëjve”, në Berat

TIRANË, 13 Shkurt/ATSH/.- Ikona “Mbledhja e Kryeëngjëjve”, me autor Kostandin Zografin u restaurua nga Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit e Beratit, i cili vazhdon punën për nxjerrjen në dritë të thesareve të lëna në harresë.

Ikona me numër kartele 91, dimesione: 96.5 x 60.5 x 3.5 cm është marrë nga kisha e “Shën Kollit”, në Vanaj të Fierit.

Specialistët e artit ndërhynë në konservimin dhe restaurimin e ikonës, konkretisht në konsolidimin e grundit,fiksimin e pelikulit të ngjyrës dhe pastrimin e sipërfaqjes së pikturës me shumë kujdes duke mos rrezikuar dëmtimin e ngjyrave dhe humbjen e vlerave origjinale të ikonës.

Sipas DRKK-së, Berat, puna do të vazhdojë me zbulimin e veprave të tjera nga fondi i ateljesë ku specialistët e artit janë duke përgatitur projektet e reja restauruese.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Berat ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit ,duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për vizion ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 13/02/2018
Artikulli tjetërUT miraton kriteret e pranimit, mesatarja për çdo fakultet