TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot të shpërblejë edhe punonjësit e Gardës së Republikës për festat e fundvitit.
Në mbështetje të ligjit “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve” dhe të neneve 12 e 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi që pjesë e shpërblimit të fundvitit përveç Policisë së Shtetit, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjykatës Kushtetuese të jenë edhe punonjësit e Gardës.
Efektet financiare për shpërblimin e punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, në vlerën 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të vitit 2021.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
/k.s//a.a/





















