TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi deklaroi sot se mbështet nismën e “Ballkanit të Hapur”, duke theksuar se kjo do të ndihmojë edhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve që ka ofruar BE-ja.
Ai gjithashtu u bëri thirrje tre vendeve që ende nuk i janë bashkuar kësaj nisme që të bashkohen, pasi kjo do të ndihmonte ekonomitë e tyre.
Duke folur në një lidhje online, në seancën plenare të samitit “Open Balkan”, Varhelyi tha se, “është e lehtë të jesh mik i Ballkanit, kur je prej andej, siç e dini, unë jam nga Hungaria. Ndoshta kjo më jep një nivel më të afërt kuptimi të nevojave që ka Ballkani dhe të mënyrës sesi ne mund ta ndihmojmë Ballkanin nga BE, për t’u rritur shumë më shpejt e për të ardhur shumë më afër BE-së”.
“Për të qenë i ndershëm, kam qenë gjithmonë i prirur shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi. Së pari u quajt mini-shengen. Më pas u përpoqëm brenda procesit të Berlinit dhe krijuam tregun e përbashkët rajonal. Por për fat të keq me disa zgjedhje në rajon, kjo nismë u la mënjanë. Dhe ndërkohë e konsideroj këtë iniciativë të Ballkanit të Hapur, një pasardhëse apo një zëvendëse, derisa të gjithë të jenë rreth tryezës. Ky është përfundimi që unë e kam nxjerrë që prej fillimit. Që ju të vazhdoni ta nxisni këtë nisëm, sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë. Rajoni kërkon të jetë një i tërë, sa i takon ekonomisë, sa i takon shoqërisë. Rajoni kërkon të jetë bashkë siç jemi ne në BE”, u shpreh Varhelyi.
“Po kështu admiroj edhe faktin sesa fort e ndjeni këtë nisëm. Sepse pikë së pari, ka qenë një nisëm që vjen që nga Ballkani. Nuk është BE që doli me këtë nisëm, por ka ardhur prej jush. Prej tri aktorëve që shoh rreth tryezës edhe sot dhe ju vazhduat të shtynit përpara edhe kur ne nuk arritëm që të tërhiqnim pjesëmarrjen e të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Sepse ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal dhe sidomos mënyrën në të cilën kjo është në gjendje të ndryshojë jetën e qytetarëve tuaj dhe mënyrën sesi mund të përshpejtojë integrimin ekonomik me BE-në”, tha Varhelyi.
“Ne mendojmë se ky është mesazhi më i mirë që rajoni mund të përçojë, që jo vetëm është gati për bashkëpunim rajonal, por po e bën, po e zhvillon këtë bashkim”, tha Varhelyi, duke shtuar se, “mund të më përfshini si mbështetës të Ballkanit të Hapur”.
“E keni parë po kështu që me përfundimet e miratuara në kuadër të procesit të zgjerimit kemi përfshirë dhe një mesazh shumë të qartë për rajonin. ne mendojmë që në bazë të rregullave dhe vlerave të BE-së, çdo bashkëpunim rajonal, jo vetëm është i mirëpritur, por është në të mirë të të dyja palëve. Që do të thotë, është në të mirë të Ballkanit, por është edhe në të mirë të BE”, tha ai.
Sigurisht, shtoi Varhelyi, “do të ishte ideale që të gjendej një mënyrë për t’u kthyer në tregun e përbashkët rajonal. Megjithatë e kuptoj që ju doni të ecni deri sa kjo të ndodhë. Pra ju duhet të mbani këtë bashkëpunim të hapur. Diçka që e kam dëgjuar në fakt nga të tre ju”.
“Më lini që të përfitoj nga mundësia tani, për t’i ftuar tri partnerët e tjerë t’i kthehen këtij bashkëpunimi rajonal, se jo vetëm shton mundësitë për bizneset, është në të mirë të konsumatorëve, ofron shtim të punësimit, por po kështu mund të ndryshojë realitetet në terren. Dhe realitetet në terren janë shumë të zymta. Dhe nëse ka diçka që unë dua t’ju citoj kryeministri Rama, është se vetëm përmes bërjes konkrete të tregut të përbashkët rajonal, Ballkani mund të rrisë, të shtojë 1/3 e PBB ekzistuese. Pra 1/3 rritje e PBB-së ekzistuese, është shumë afër vetëm duke zbatuar tregun e përbashkët rajonal. 2/3 e mbetura të rritjes, apo pjesa tjetër e rritjes së PBB-së apo më shumë, mund të arrihet përmes një përplotësuesi thelbësor që është Plani Ekonomik dhe i Investimeve, që është diçka me të cilën BE-ja ka dalë dhe ka ofruar. Por ky plan mbështetet në ekzistencën e tregut të përbashkët rajonal, apo të një integrimi rajonal”, theksoi Varhelyi.
Sepse, nënvizoi ai, “nuk ka arsye që t’i lidhësh të gjitha kryeqytetet me rrugë e me hekurudha, në mënyrë që trenat apo mjetet e qarkullimit të ndalen në çdo lloj pikë kufiri. Nuk ka kuptim të krijojmë një klimë për investime, në qoftë se ju nuk njihni diplomat dhe certifikatat e njëri-tjetrit. Nuk ka asnjë kuptim që të krijojmë një klimë investimesh brenda Planit të Investimeve dhe atij Ekonomik dhe të krijojmë mundësi shumë të mëdha investimesh, nëse burokracia i kundërvihet qarkullimit të lirë të shërbimeve, të drejtës së vendosjes apo lirisë së lëvizjes së kapitaleve”.
“Gjatë krizës së COVID-it, ju e bëtë të ditur se çfarë dallimi, çfarë ndryshimi mund të bëhet me këtë dhe kjo është diçka me të cilën, mbi të cilën, mund të punohet. Jam i kënaqur që së paku ju të tre të vazhdoni dhe ju duhet të vazhdoni. Dhe shpresoj fort që tre të tjerët të bashkohen shumë shpejt, sepse pa këtë Plani Ekonomik dhe i Investimeve nuk do të jetë në gjendje që t’ju sjellë të gjitha ato përfitime e të nxisë deri në atë nivel që në fakt ka për qëllim të sjellë në rajon. Ne po investojmë, dhe ofrojmë një investim për së paku 1/3 e PBB-së të të gjithë rajonit, por kjo do të funksionojë vetëm nëse ne kemi të gjithë ju që merrni pjesë’, tha Varhelyi.
“Mirëpres po kështu edhe faktin që po punoni me partnerët tanë në CEFTA. Në institucionet e përbashkëta rajonale të cilat ne i kemi zhvilluar , i kemi ngritur së bashku. Për rrjedhojë mendoj se është shumë më rëndësi t’i tregojmë botës, që kur angazhoheni, po kështu ju bëni atë që thoni dhe ju jepni rezultate. Dhe ne jemi gati t’ju ndihmojmë që këto rezultate të jenë më të shpejta. E po kështu për të vërtetuar se aty ku bashkëpunimi rajonal funksionon Plani Ekonomik dhe i Investimeve do të japë shumë më tepër rezultate sesa në ato vende ku nuk funksionon”, u shpreh Varhelyi.
Sa i përket procesit të zgjerimit Varhelyi tha se, “e kuptoj dëshpërimin e kryeministrit Zaev, por mos harroni që ne kemi bërë progres në procesin e zgjerimin, kemi hapur grupe kapitujsh me Serbinë, kemi gjithashtu parë edhe pjesë të metodologjisë me Malin e Zi, megjithatë nuk e fsheh faktin dhe keqardhjen time për faktin që ende nuk e kemi mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe duhet t’i mbajmë shumë shpejt. Shenja e parë që duhet të shohim është se kemi një angazhim të qartë nga ana e BE-së që kjo gjë të ndodhë. Gjithashtu kjo ishte e dukshme edhe në konkluzionet e miratuara nga Këshilli në mënyrë të njëzëshme. Duhet marrë shumë seriozisht kësisoj dhe ka ardhur koha që kjo të ndodhë dhe që t’i sjellim në tryezë të gjitha marrëveshjet”. /a.a/













