TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot masat e reja të vendosura nga Greqia, për hyrjet në vend.
MEPJ thekson se, “duke filluar nga data 19 dhjetor 2021, ora 06:00 deri në datë 10 janar 2022, ora 06:00, të gjithë ata që udhëtojnë drejt Greqisë, pavarësisht kombësisë, pavarësisht në qoftë se janë të vaksinuar ose kanë qenë të diagnozuar me COVID-19, janë të detyruar të paraqesin, test negativ PCR, kryer brenda 72 orëve, përpara udhëtimit ose test të shpejtë antigjenik, kryer brenda 24 orëve para udhëtimit”.
MEPJ bën të ditur se, “të gjithë udhëtarët që hyjnë në territorin e Republikës së Greqisë, duhet të plotësojnë formularin elektronik PLF (Passenger LocatorForm), në adresën elektronike https://travel.gov.gr, me të dhënat e tyre të kontaktit në Greqi, përpara mbërritjes”.
MEPJ thekson se, “masa vlen për të rriturit dhe fëmijët mbi 5 vjeç, pavarësisht nga vaksinimi”.
MEPJ shton se “pikat kufitare të Kakavisë, Kapshticës dhe Qafë-Botës funksionojnë gjatë 24 orëve. Pika kufitare e Tri Urave funksionon nga ora 08:00 deri në orën 20:00”.
MEPJ sqaron se, “ky rregull i vendosur nga Ministria greke e Shëndetësisë, vjen si masë për parandalimin e përhapjes së variantit të ri të pandemisë, Omicron”.
/j.p/r.e/












