TIRANË 15 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se lufta kundër korrupsionit, njësoj si dekriminalizimi, është jetike për Shqipërinë.
Në një konferencë me gazetarë në selinë e PD, Basha u shpreh se “lufta kundër korrupsionit është, njësoj si dekriminalizimi, jetike për Shqipërinë, për shtetin ligjor, për të drejtat e njeriut, për të ardhmen europiane që duan të gjithë shqiptarët. Pa rezultate konkrete në këtë luftë, asgjë nuk mund të ndryshojë”.
Basha theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit është misioni i tij dhe i PD-së.
“Kur Amerika e vendos luftën kundër korrupsionit prioritetin e saj madhor, sepse ai cenon interesin kombëtar, po ne këtu. Ku një grusht njerëzish kanë grabitur çdo gjë. Ku ministra të qeverisë pastrojnë para dhe grabisin fonde publike. Vetingu i politikanëve është në fakt vetëm një mjet për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet me krimin, shembull i përpjekjeve tona serioze. Mbështesim drejtësinë në të gjitha veprimet kundër këtij armiku të mirëqenies së shqiptarëve!! Unë dhe PD përshëndesim të gjithë ata prokurorë dhe hetues të sistemit të ri të drejtësisë që kanë filluar të godasin korrupsionin në nivelet më të lartë me gjithë presionin e madh të përditshëm. Ashtu siç kemi bërë dhe do vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë me denoncimet për korrupsionin galopant te qeverisë Rama, qeveria më e korruptuar në Europë sipas gjithë raporteve ndërkombëtare, ashtu ne do të përkrahim dhe përshëndesim me forcë të gjitha goditjet që drejtësia bën kundër armikut të mirëqenies së shqiptarëve”, u shpreh Basha.
Basha, duke folur për korrupsionin u shpreh se edhe ish-qeverisja e PD ka patur korrupsion. “Jemi të vendosur ta luftojmë edhe atë për të ecur drejt të ardhmes dhe sjellë ndryshimin për shqiptarët”, theksoi ai.
“E di që shpesh kjo retorikë mund të duket bajate, sepse edhe ish-qeverisja e PD ka patur pjesën e saj në këtë plagë të madhe për gjithë shoqërinë. Por ne jemi të vendosur të ecim përpara, të shkëputemi nga e kaluara jonë e keqe, dhe të zgjedhim të ardhmen që vetëm ne mund ta sjellim për shqiptarët”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli edhe për arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka nga SPAK, një ditë më parë.
“E kemi thënë dhe e kemi përsëritur këtë gjatë këtyre viteve, dhe ja ku duket sot fare qartë se si taksat që kanë marrë nga bashkëqytetarët tanë, taksat që kanë marrë nga shqiptarët, i kanë vjedhur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, politikanët pushtetarë. Një skemë e ndërtuar nga persona me precedentë penalë, pra anëtarë të krimit të organizuar në bashkëpunim me oligarkinë. Dhe pasi e kanë ndërtuar këtë skemë, pasi kanë vjedhur ashiqare, ditën për diell, paratë e buxhetit, pra paratë e taksave të shqiptarëve, me këto para kanë paguar edhe për të heshtur dhe mbyllur gojën”, tha Basha.
“Të gjithë jemi dëshmitarë se inceneratorët dhe mafia e inceneratorëve është, ka qenë prej muajsh një nga sponsorizuesit kryesorë për të hequr çdo lajm, për të censuruar çdo media, madje dhe për të hequr gazetarë nga puna dhe mjafton të shikosh nëse është e mundur akoma nga ana teknike, qoftë në median tradicionale, televizione, qoftë në median e re, në portale, se si e kanë mbytur me reklama inceneratorët vetëm e vetëm për të heshtur dhe mbyllur gojët e njerëzve. Nuk kanë arritur të na mbyllin gojën ne. Me shumicën dërrmuese prej jush, sepse disa kolegë mund të kenë dyshuar, kemi qenë këtu, në këtë sallë, për 3 javë rresht duke denoncuar aferën kriminale të inceneratorëve. Nuk jemi mjaftuar me kaq, jemi drejtuar prej kohësh me thirrje dhe së fundmi edhe me hapat ligjor SPAK-ut”, vijoi ai.
Ai tha se “arrestimi i djeshëm i Lefter Kokës është më mirë vonë sesa kurrë, por nuk mund të jetë kurrsesi maja e hetimit”.
/j.p/r.e/























