TIRANË 14 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka arrestuar sot ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe 2 shtetas të tjerë pas hetimeve të kryera mbi bazën e kallëzimit penal të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për atë që njihet si afera e inceneratorëve.
SPAK njoftoi sot se ka zhvilluar hetime për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga Kodi Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.
SPAK njoftoi se objekti i hetimeve të këtij procedimi penal kanë qenë veprimet e kryera për procedurën e ndjekur për lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate koncesioni, kontratë e cila është lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k.
Lidhur me këtë procedim penal, sipas njoftimit të SPAK, janë kryer një sërë veprimesh hetimore të natyrës komplekse dhe voluminoze, veprime hetimore të karakterit historik, por njëkohësisht edhe veprime hetimore proaktive, si rezultat i të cilave janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se janë konsumuar elementët e disa veprave penale.
Konkretisht, SPAK rendit elementët:
“Së pari, nga hetimet e kryera është provuar se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me nenin 16 të ligjit nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me nenet 5, 6, 7, 8, 13, 14/1, 26 të V.K.M nr.575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncension/partneritet publik privat”, me kreun II, pika 2/c, të V.K.M-së nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar.
Së dyti, nga hetimet është provuar gjithashtu fakti se nuk është është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me parashikimet e nenit 22 të ligjit nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit të zbatueshme për koncesionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Në rastin konkret, në procedurën e ndjekur për dhënien e koncesionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) procedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
Veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë kryer nga anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me shtetasin L.K, në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit. Veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë personit juridik “Albtek Energy” sh.p.k. përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e koncesionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë. Ministri i Mjedisit në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka qenë personi përgjegjës për prokurimin e fondeve publike, ka qenë personi përgjegjës për organizimin dhe realizimin në përputhje me ligjin të procedurës së koncesionit.
Së treti,nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).
Gjatë hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K., në cilësinë e ish- ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.
Shtetasja S.G., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k dhe shtetasi K.Z., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Shtetasi L.K., në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së koncesionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit”, argumenton SPAK.
Bazuar në argumentet e mësipërme, SPAK njoftoi se “janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit S.G. dhe K.Z. kanë konsumuar veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal”.
Po kështu, SPAK njoftoi se bazuar në argumentet e mësipërme dhe duke vlerësuar në tërësi provat e administruara, krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasi L.K. ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 e 25, 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.
Në këtë procedim penal, njoftoi SPAK, krahas marrjes në përgjegjësi penale të shtetasve L.K., K.Z. dhe S.G., si dhe të disa persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, janë marrë në përgjegjësi penale edhe personat juridikë, shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.
“Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.100, datë 12.12.2021 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
- Caktimi ndaj personit nën hetim L.K. i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25, 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.
- Caktimi ndaj personit nën hetim K.Z. i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale të 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.
- Caktimi ndaj personit nën hetim S.G. i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprat penale të 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal”, njoftoi SPAK.
“Po kështu, me vendimin nr.484 akti, datë 13.12.2021 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur
- Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Albtek Energy” sh.p.k., me seli qëndrore në Elbasan, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.
- Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.
- Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit L.K., të “88, 19 %” të aksioneve në pronësi të tij në shoqërinë tregtare “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu” sh.a., me Nipt J61811527M, me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korrespondon vlera prej 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale”, vijon njoftimi i SPAK.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar sot në masën e sigurimit personale të vendosur ndaj shtetasit L.K., si dhe janë duke u kryer veprimet e nevojshme për vënien në administrim të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara Tiranë, të tre personave juridikë për të cilët është vendosur masa e sigurimit pasurore “sekuestro preventive”.
SPAK njoftoi se vijojnë hetimet e mëtejshme për mbledhjen e provave të nevojshme për persona të tjerë, funksionarë publikë dhe persona fizik dhe juridikë privatë, për të cilët ka dyshime se mundet të jenë përfshirë në kryerjen e veprimtarisë kriminale të mësipërme.
“Prokuroria e Posaçme siguron opinionin publik se do të vijojë që të hetojë mbi çdo kallëzim penal që do të paraqitet dhe mbi çdo njoftim për kryerje të ndonjë vepre penale që do të marrë dijeni me iniciativën e saj, me objektivitet dhe me paanshmëri të plotë, si dhe në të gjitha rastet kur do të gjenden dhe do të mblidhen provat e nevojshme, do të ushtrohet ndjekja penale sipas ligjit dhe personat përgjegjës do të merren në përgjegjësi penale”, përfundon njoftimi i SPAK.
Lefter Koka ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit nga viti 2013-2017 si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i bashkisë së Durrësit, ndërsa prej vitit 2009 u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Lefter Koka në 1 shtator 2021 dha dorëheqjen nga mandati i deputetit të fituar në Durrës në zgjedhjet e 25 prillit.
/j.p/r.e/












