TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.97 miliardë lekë, ose 131.1% krahasuar me vitin i kaluar.
Referuar treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, këto të ardhura u realizuan në masën 99.9% kundrejt planit, ose 19 milionë lekë më pak.
Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 1.6 miliardë lekë, 478.5 milionë ose 42.7% më shumë se renta e 10-mujorit të vitit 2020.
Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë pësuar rritje si rezultat i rritjes së sasisë së prodhimit të naftës bruto, e cila për 10 mujorin 2021 është 6.4% më shumë se viti i kaluar me efekt pozitiv 71.7 milionë lekë.
Por në të njëjtën kohë, ndikim pozitiv ka dhënë edhe rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare me një efekt prej 406.7 milionë lekë. Gjatë 10-mujorit 2021 kemi një rritje të rentës për njësi nga 2.29 lekë/ton në 3.07 lekë/ton.
Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rritje në masën 20.8 milionë lekë, për shkak të rritjes së sasisë së eksportuar me 2.6%, krahasuar me 10-mujorin e vitit 2020 dhe me efekt 9.1 milionë lekë.
Njëkohësisht u ndikuan edhe nga rritja e çmimit të mineraleve, me efekt 11.7 milionë lekë. /j.p/












