TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla thirri sot mbledhjen e parë të grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” për legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Shqipërisë.
Në mbledhje mori pjesë edhe përfaqësuesja rezidente e zyrës së OKB në Shqipëri, Fiona McCluney përfaqësues të UNICEF dhe të Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri.
Mbledhja zgjodhi tri zëvendëskryetaret e grupit, Desantila Tahiraj, Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho.
Po ashtu u vendos për hartimin e programit vjetor të punës, si dhe u diskutua mbi rolin e Kuvendit për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna.
“Dashuria, kujdesi e përkushtimi për fëmijët tregojnë vitalitetin dhe fisnikërinë e një kombi. Dhuna ndaj fëmijëve është shkelje e dinjitetit të çdo shoqërie. Duke toleruar dhunën ndaj fëmijëve, çdo komunitet, shkollë e familje dhunon vetveten. Këtë të keqe shoqërore do ta ndalim, kur secila e secili prej nesh, pavarësisht detyrave e roleve shoqërore, të kuptojë se dhuna ndaj cilitdo fëmije, është dhunë ndaj fëmijës sim, është dhunë ndaj meje”, tha Kryetarja e Kuvendit, Nikolla.
Sipas saj, duke krijuar kushte për plotësimin e nevojave fizike, emocionale, shpirtërore dhe zhvillimin e lirë të fëmijëve, për rritjen e tyre në një mjedis të sigurt, të qëndrueshëm dhe edukues, që krijon shpresa, mundësi e perspektiva, çdo shoqëri edukon, emancipon vetveten dhe garanton të ardhmen e saj.
“Nisur nga ky vizion, unë kam marrë përgjegjësinë e drejtimit të grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”. E konsideroj këtë përgjegjësi, si një shërbimin tim të lartë, si grua, nënë, qytetare e parlamentare”, nënvizoi midis të tjerash Nikolla.
Përfaqësuesja Rezidente e zyrës së OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, vlerësoi faktin që Kryetarja e Kuvendit dhe vetë Kuvendi e kanë vendosur mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve si një prioritët të agjendës parlamentare dhe vuri në dukje se ndihma e agjencive të OKB-së do të jetë e pakursyer në këto çështje.
Drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, Altin Hazizaj, nënvizoi se Qendra do të bashkëpunojë ngushtë me Kuvendin dhe grupin e deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” për të parandaluar dhunën ndaj fëmijëve dhe garantuar mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Deputetja Albana Vokshi vuri në dukje se pas çdo akti dhune të gjithë duhet të shohim përgjegjësitë tona. “Duhet të ndërmarrim ndryshime ligjore më të plota dhe të monitorojmë më mirë punën e qeverisë dhe të institucioneve dhe në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve të mos kemi dallime partiake”, tha ajo.
Deputeti Petrit Vasili e vuri theksin në forcimin e kontrollit parlamentar ndaj institucioneve që adresojnë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
/j.p/r.e/






















