2022, Viti Ndërkombëtar i Peshkimit dhe Akuakulturës Artizanale 

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Peshkimi dhe akuakultura në Shqipëri, do të jenë në fokus të veprimtarive dhe nismave mbështetëse të qeverisë vitin që vjen, në kuadër kjo edhe të lançimit nga FAO të 2022-shit si Viti Ndërkombëtar i Peshkimit Artizanal dhe Akuakulturës (IYAFA 2022).

Në takimin online që u organizua sot me këtë rast, përfaqësues të lartë të FAO-s, prezantuan qëllimet dhe objektivat e IYAFA 2022 dhe apeluan që qeveritë të adresojnë për peshkimin në vendin e tyre, sa më shumë veprimtari gjatë gjithë vitit të ardhshëm.

Qeveria shqiptare i ka kushtuar rëndësi të veçantë sektorit të peshkimit dhe akukulturës gjatë viteve të fundit. Subvencionet dhe programet e IPARD kanë mbështetur industrinë e përpunimit të peshkut, duke rritur vlerat e financimit për këtë sektor, deri në 30 milionë lekë për një biznes.

Ndërsa investimet e kombinuara më kërkesën në rritje të tregut të huaj, kanë sjellë që eksporti i peshkut të shënojë rritje të ndjeshme vitet e fundit.

Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar.

IYAFA 2022, është një mundësi për të promovuar një botë në të cilën peshkatarët artizanë, fermerët e peshkut dhe përpunuesit e peshkut të njihen, të thellojnë ndërveprimin dhe fuqizohen për të vazhduar kontributin e tyre në mirëqenien njerëzore. Sistemet e ushqimit të shëndetshëm kontribuojnë në çrrënjosjen e varfërisë përmes përdorimit të  përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të burimeve të peshkimit dhe akuakulturës.

Drejtori i përgjithshëm i FAO-s, Qu Dongyu, përshëndeti në nisje të takimit virtual, ndërsa Editrudith Lukanga, zëvendëskryetare e Komitetit Drejtues Ndërkombëtar të IYAFA, foli për peshkatarët e vegjël.

Dëshmitë në lidhje me kapacitetin inovativ të peshkimit dhe akuakulturës në shkallë të vogël, në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm u prezantuan nga aktorë të ndryshëm në takim.

Manuel Barange, drejtor i Divizionit të Peshkimit dhe Akuakulturës në FAO apeloi për një veprim global për të ndihmuar që IYAFA të bëhet një ndërmarrje e rëndësishme njëvjeçare. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.