VJENË, 15 nëntor /ATSH-DPA/ – Hyri sot në fuqi në Austri bllokimi i lëvizjes për të pavaksinuarit.
Qytetarët e pavaksinuar do të mund të dalin nga shtëpia vetëm për të blerë për nevoja thelbësore, për të shkuar në punë ose për t’u vizituar te mjeku.
Ata gjithashtu do të mund të dalin jashtë për të marrë ajër të pastër në çdo kohë për të mirën e shëndetit të tyre fizik dhe mendor.
Do të ketë gjithashtu kontrolle në vend për të siguruar pajtueshmërinë, me shkelje të dënueshme me gjoba deri në 1 450 euro (1 660 dollarë).
Shifrat janë në rritje në Austri.
Autoritetet regjistruan dje më shumë se 11 552 raste dhe incidenca shtatë-ditore për 100 000 njerëz u rrit në gati 850.
Masat e bllokimit do të jenë në fuqi për një periudhë fillestare prej 10 ditësh.
Këto hapa janë miratuar nga qeveria federale dhe ajo shtetërore, por kancelari Alexander Schallenberg tha se landet janë të lira të zbatojnë rregulla edhe më të rrepta.
Rreth 65 për qind e popullsisë në Austri është aktualisht e vaksinuar./ /os/





















