TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot në takim Ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin mes Kuvendeve të të dy vendeve.
Gjatë takimit ambasadori Durmishi e falënderoi Kryetaren Nikolla për dinamikën e re të bashkëpunimit parlamentar me Kuvendin dhe me institucionet e Kosovës, qëndrim që është vlerësuar nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
Kryeparlamentarja Nikolla vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe vëllazëror midis dy vendeve dhe shprehu vullnetin dhe besimin se ky bashkëpunim do të hyjë në një fazë të re, më dinamike e më produktive.
“Vizita ime e parë në Kosovë nuk ishte thjesht simbolike, por me objektiva e pritshmëri të qarta për të dinamizuar bashkëpunimin parlamentar midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës. Tryeza e Kryetarëve të Komisioneve, e cila u institucionalizua gjatë muajit tetor, do të pasohet nga institucionalizimi i Tryezës së Kryetarëve të Delegacioneve parlamentare, me qëllim që të ndërtojmë një diplomaci parlamentare të përbashkët, të funksion të përballimit të sfidave të sotme dhe të ardhshme të Kosovës”, nënvizoi Nikolla.
Nikolla u shpreh se “bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës është strategjik, stabilizues dhe orientues për perspektivën euroatlantike të rajonit dhe një model e inkurajim për bashkëpunimin rajonal”.
/k.s/a.a/r.e/












