TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Bashkia e Pukës me një investim prej 80 mijë USD do të ketë qendrën e vetë të grumbullimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore.
Kryetari i bashkisë së Pukës Gjon Gjonaj priti në një takim pune përfaqësues të Ministrisë të Bujqësisë, UN Women, FAO, AICS dhe RTM në kuadër të projektit “GREAT – Barazia Gjinore dhe Turizmi”.
Bashkia e Pukës është përzgjedhur ndër tre bashkitë e Shqipërisë (Puka, Elbasani dhe Kolonja).
Në këtë kuadër bashkia Pukë do të ndërtojë qendrën e vet të grumbullimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore, duke ndihmuar gratë e zonave rurale, por njëkohësisht dhe duke eliminuar një tjetër gërmadhë në hyrje të qytetit.
Kryebashkiaku Gjonaj gjatë këtij takimi falënderoi përfaqësuesit e dikasterit të bujqësisë dhe organizatave të pranishme, teksa e konsideroi këtë një kërkesë të realizuar nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, e cila pak kohë më parë vizitoi Pukë.
Ky projekt implementohet nga UN Women në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me mbështetjen e qeverisë italiane.
/k.s//a.a/












