Ballina Aktualitet

Shqipëri-Arabi Saudite, bashkëpunim i shkëlqyer

TIRANË 26 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti ministrin e Arabisë Saudite për Çështjet Islame, dr. Abdullatif bin Abdulaziz bin Abdulrrahman al Shaikh.

Ministri i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet e përzemërta të Mbretit Selman dhe Princit të Kurorës Muhamed bin Selman dhe urimet e tyre për suksese në detyrën e lartë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë takimit u diskutua mbi zgjerimin e marrëdhënieve shumë të mira midis të dy vendeve dhe u shpreh vullneti i të dy palëve për t’i avancuar ato, veçanërisht në fushën e ekonomisë, investimeve, shkëmbimeve tregtare, turizmit dhe në të gjitha fushat e përfitimit të ndërsjelltë të qytetarëve e vendeve tona.

“Shqipëria është një vend që dallohet për bashkëjetesën dhe harmoninë midis  komuniteteve fetare. Mozaiku fetar i Shqipërisë është një pasuri dhe jo një problem për vendin, si edhe një model tolerance për të gjitha vendet. Komuniteti mysliman i Shqipërisë një komunitet progresist dhe tolerant, kontribues për zhvillimin dhe demokracinë e Shqipërisë”, vuri në dukje Nikolla.

Nikolla shprehu mirënjohjen për ndihmën humanitare që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, sidomos për përballimin e pasojave të tërmetit dhe pandemisë.

Kryetarja e Kuvendit shprehu gjithashtu mirënjohjen për njohjen e Kosovës nga Arabia Saudite si dhe për mbështetjen e dhënë gjatë kërkesave për mbështetje për anëtarësim të Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL, dhe shprehu bindjen në  vazhdimin e lobimit në Organizatën e Bashkëpunimit Islam dhe në Ligën Arabe, me vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Nikolla dhe ministri Al Shaikh biseduan edhe mbi bashkëpunimin e të dy vendeve tona në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak20 raste të reja me COVID-19 në Kosovë
Artikulli tjetërManja: Drejtoria e Antikorrupsionit punë e pakompromis në çdo institucion