TIRANË, 12 tetor/ATSH-Maela Marini/ Zv.kryeministri Arben Ahmetaj, njëkohësisht ministër Shteti për Rindërtimin, deklaroi sot se nga Programi i Rindërtimit në të gjithë vendin po ngrihen 167 shkolla.
Në përurimin e shkollës 9-vjeçare “Mervete Peza” në Pezë-Helmës, Ahmetaj tha se nga programi i rindërtimit të shkollave përfitojnë 25 mijë fëmijë.
“Po ndërtojmë 167 shkolla dhe vetëm në këtë territor përfitojnë 25 mijë fëmijë, që do të mësojnë në shkolla të reja më të bukura, më të forta, më të mira. Rindërtimi po ecën me shpejtësi, jo thjesht tek shkollat dhe infrastruktura, por edhe në shtëpitë individuale e në pallate, ku do strehohen 12 mijë familje,” deklaroi Ahmetaj.
Ai tha se “shkolla është produkt i solidaritetit të popullit sllovak dhe sot është më e fort, më e madhe dhe më e bukur për fëmijët e gjithë zonës”.
“Ne i kushtojmë vëmendje mirëmbajtjes së shkollave por edhe rritjes së cilësisë në mësimdhënie. Këtë e dëshmon kujdesi ndaj familjeve. Sot 283 mijë fëmijë përfitojnë libra falas. Kjo qeveri kur premton një gjë e mban fjalën”, tha ai.
Po ashtu, Ahmetaj tha se “ringritja ekonomike na jep mundësi të kalojmë në investime serioze te fusha e teknologjisë së informacionit”.
“Këto janë programe, paketa të prekshme në familjet shqiptare. Paketa e arsimit shkon me një paketë tjetër të fort, siç është paketa e familjes që ka të bëjë me mbështetjen e nënës e fëmijës në jetën e përditshme apo paketa e bonusit të bebes”, tha ai.
/a.a/r.e/












