TIRANË 4 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me krizën energjetike të paralajmëruar nga Kryeministri Edi Rama duke theksuar se PD do të përkrahë të gjitha format e reagimit popullor.
Në një deklaratë për mediet, pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Basha tha se u diskutua çështja e çmimeve në tërësi dhe paralajmërimi i djeshëm, sipas tij, për rritjen e çmimit të energjisë.
“Të gjithë jemi dëshmitarë se çmimi i energjisë dhe çmimi i karburanteve rëndon më së shumti në ekonomitë familjare dhe veçanti, biznesin e vogël dhe të mesëm, por dhe biznesin e madh prodhues. Të gjithë e dimë se çmimi i energjisë dhe i karburanteve ka një efekt të drejtpërdrejtë në çmimin e gjithçkaje tjetër që ne konsumojmë, qoftë buka e gojës, deri te shërbimet që marrin qytetarët”, tha ai.
Basha kujtoi se Edi Rama e premtoi uljen e çmimit të energjisë, ku në fakt e rriti edhe për familjarët edhe për bizneset.
“Dhjetëra kryefamiljarë kanë vrarë veten në qelitë, ku janë plasur nga Edi Rama për shkak të faturave të rritura të energjisë elektrike. Mbi 1000 janë burgosur, mbi 40 mijë qytetarë kanë shkuar të paktën një natë në komisariat, në furtunën e terrorit, që Edi Rama ngriti gjoja në kudër të reformës së sistemit të energjisë. Jemi vendi i katërt, sipas raporteve ndërkombëtare, ku pjesa më e madhe e buxhetit shkon për energjinë, energjinë elektrike apo karburantet. Dhe pyetja shtrohet se çfarë u bë me të famshmen reformë të energjisë?”, theksoi Basha.
“Ku shkuan parat e vjela të qytetarëve apo gjoja të kursyera e të miradministruara. Ne, e dimë fare mirë që këto para nuk shkuan në destinacion, sepse çmimi i energjisë dhe i karburantit u rrit, jo një herë, por dy herë duke e bërë karburantin shqiptar një ndër më të shtrenjtët në Europë dhe në botë dhe më të shtrenjtin në rajon, ndërkohë që shqiptarët vetë kanë fuqinë blerëse më të ulët në Europë”, tha ai.
Basha tha se pretendimi se kriza vjen nga tregjet ndërkombëtare është mashtrim.
“Kjo është një tjetër pasojë e keqqeverisjes së Ramës, e dështimeve të tij, e vendimmarrjes së tij gjakftohtë, por kriminale, që paratë që duhet të çonte për uljen e çmimit të energjisë dhe karburanteve, siç i ka premtuar, i ka marrë, këto çmime i ka shtuar dhe me paratë e mbledhura shtesë ka pasuruar veten e tij dhe një grusht oligarkësh që janë pjesë e thellimit të problemit në Shqipëri”, tha Basha.
“Përballë kësaj ne kemi jo thjesht dhe vetëm propozimet që i bëmë publike dje të cilat do të zhvillohen në detaje edhe nga parlamentarët tanë, edhe nga grupet tona të ekspertëve në bashkëpunim me grupet e interesit të shoqërisë, biznesit dhe konsumatorëve. Por ne po kështu, do bëjmë gjithçka për të ndalur këtë fatkeqësi të re që Rama po përgatit. Këtë sëpatë që po mpreh për qafën e holluar dhe të varfëruar të shqiptarëve. Për tavolinat e tyre të zbrazura, për xhepat e tyre ku do të fusë duart për të marrë qindarkat e fundit, pikërisht për të mbyllur gropën e korrupsionit. Kjo nuk është një gropë e krijuar nga tregjet ndërkombëtare, por kjo është një gropë e krijuar nga korrupsioni i Edi Ramës, tash 8 vite në kurriz të shqiptarëve dhe të ekonomisë sonë kombëtare”, vijoi Basha.
“Ka vetëm një mënyrë për ta mbushur këtë gropë, që paratë e zhvatura me PPP me tendera korruptivë, me koncesione e me afera që janë të vetmet vepra të Edi Ramës karshi publikut, këto para të shërbejnë për të plotësuar ato hapa të menjëhershëm që ne kemi propozuar dhe që janë rruga për t’i dalë përpara kësaj fatkeqësie që në fakt nuk vjen nga jashtë po vjen nga brenda nga keqqeverisja dhe korrupsioni”, tha Basha.
Basha theksoi se “pa diskutim që detyra jonë nuk është thjesht denoncimi që kemi bërë dhe do ta bëjmë, por t’u qëndrojmë në krah shqiptarëve”.
“T’u qëndrojmë në krah shqiptarëve kudo ku janë por t’i nxisim dhe t’i inkurajojmë, t’i mbështesim dhe përkrahim të gjitha format e reagimit popullor, sepse ky nuk është një problem vetëm i PD-së, por i të gjithë qytetarëve, problem kombëtar”, tha Basha.
/j.p/r.e/











