TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend se, programi qeverisës është prova që fatkeqësisht asgjë e mirë nuk i pret shqiptarët.
“Ky pritet të jetë një dokument tejet serioz, i konsultuar mirë, shkruar me profesionalizëm, se nga ky dokument varet jeta e shqiptarëve. Patjetër duket qartë nga ky nivel paraqitje në përmbajtje të këtij dokumenti që ca rilindas do ringinjen shpejt në kohë, ndërsa shumica e shqiptarëve do varfërohen dhe jo nginjen, por do të thinjen para kohe”, u shpreh Duma.
“Mungesa e seriozitetit dhe profesionalizmit; gabimet në strukturë e në konceptim në këtë dokument janë qesharake deri në mëkat. Them deri në mëkat se di mirë që ka mes jush profesionistë që mund ta bënin së paku në letër një punë më të mirë, por jo, ju zgjidhni këtë paçavure”, theksoi Duma.
“I gjithë ky dokument nuk reflekton asnjë problem, zero, në tetë vite qeverisje çdo gjë duket se ka ecur si në rrugë qiellore dhe është për të qeshur e qarë bashkë se si në programin tuaj qeverisës fatkeqësitë natyrore janë fat. Ato kanë ardhur nga Zotat të ndëshkojnë shqiptarët për të lartësuar shtetarët”, u shpreh Duma
“Ju me ndihmën ekonomike me rindërtimin bëtë racizëm politik, nuk ka poshtërim më të madh se të dëshmosh për mjerim për racionin e ushqimit që nuk ja japin se s’janë rilindas. Nuk ka poshtërim më të madh se të thoni që po jetojnë vullnetarisht në çadra, ata rrezikojnë të vdesin nga sëmundjet në qiell të hapur se qenkan afër tokës bujqësore që është djerrë se s’kanë as subvencione sa Maqedonia e Veriut. Ata jetojnë në çadra se fondet e rindërtimit u përdorën për të detyruar votat. Në muajin e fundit në qyteza me 10 mijë votues këshillat bashkiakë miratuan lista me mijëra familje për t’i mbajtur peng në këmbim të votës”, theksoi Duma.
/j.p/r.e/












